e enjte, 10 mars 2011

PTK-ja “pajton” Qeverinë me FMN-në

Drafti i ri i Ligjit për buxhetin e vitit 2011 do të jetë i gatshëm për miratim në Kuvend që nga fillimi i javës së ardhshme.
Kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e radhës së kabinetit qeveritar ka premtuar se deri të premten do të jenë të gatshme ndryshimet në tabelat buxhetore sipas rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe kërkesave të parashtruara nga e Qeveria për rritje të pagave.

Një pjesë e shpenzimeve për rritjen e pagave do të sigurohet nga dividendi i Postës dhe Telekomit në vlerë prej 40 milionë eurove. Gjithashtu Qeveria e re synon që të shkurtojë shpenzimet për mallra dhe shërbime, si dhe të rrisë në vazhdimësi të hyrat nga Dogana dhe Administrata Tatimore. 


“Deri tash është arritur pajtueshmëri e plotë me FMN-në për rritjen e të hyrave buxhetore, për ruajtjen e nivelit të investimeve kapitale, kursimet në mallra dhe shërbime, si dhe zvogëlimin e subvencioneve për ndërmarrjet publike”, ka thënë këtë të mërkurë ministri i Financave, Bedri Hamza, gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar. Ai ka theksuar se është në rrugë të mirë harmonizimi i qëndrimeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar për pagat. Sipas tij, Qeveria mbetet brenda vendimit të vet për rritjen pagave. 


“Në takimet me FMN-në kemi arritur që t’i arsyetojmë të hyrat shtesë,  të cilat e kalojnë vlerën mbi 100 milionë euro. Janë të siguruara fondet e mjaftueshme që sigurojnë kryerjen pa pengesë të punimeve të autostradës. Jemi në rrugë të mirë dhe jemi afër që të harmonizohemi edhe tek pjesa e pagave, normalisht duke përfshirë vendimin e Qeverisë për pagat me rritje dhe shpresoj që gjatë takimeve që do të kemi edhe ditëve në vijim do të harmonizojmë qëndrimet me FMN-në”, ka thënë ministri Hamza. 


Ai ka thënë se në kuadër të buxhetit të ri do të ketë kursimet, sidomos në mallra dhe shërbime. 
“Edhe në kuadër të subvencioneve kemi pasur një zvogëlim, sidomos për ndërmarrjet publike”, ka theksuar Hamza.


Kryeministri Thaçi është shprehur i bindur se pas takimeve që ka zhvilluar me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar do të gjinden pajtueshmëri e plotë në kërkesat për rritje të pagave në masën e premtuar. 


“Me përfaqësuesit e FMN-së jam takuar edhe personalisht. Jemi në rrugë të mbarë të harmonizimit të plotë të politikave të Qeverisë në marrëveshjen me FMN-në dhe flas me optimizëm të plotë se deri të premten do të përmbyllet gjithçka sipas politikave tona dhe programit të FMN-së”, ka theksuar Thaçi.


Kabineti qeverisës në përputhje me Ligjin e ndërmarrjeve publike, ka miratuar vendimin për deklarimin e dividendit të PTK-së, në vlerë prej 40 milionë eurosh. Gjithashtu Qeveria ka miratuar edhe vendimin për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së.
Ministri për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj, ka thënë se privatizimi i PTK-së, si një nga vendimet e para të Qeverisë, do të jetë një sinjal pozitiv në tregjet ndërkombëtare duke dëshmuar se kjo Qeveri është pro privatizimit të aseteve publike.


“Nevoja për privatizimin e shumicës së aksioneve është një nga shtyllat themelore të marrëveshjes me FMN-në”, ka thënë ministri Beqaj. 
Sipas tij, për privatizim do të ofrohen 75 për qind e aksioneve të PTK-së, ndërkaq për procedimin e strategjisë është themeluar komisioni i përbërë nga ministri për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj, ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ministri i Punës, Nenad Rashiq, dhe Ministri i Financave, Bedri Hamza.


Gjatë mbledhjes Hamza ka informuar Qeverinë për negociatat që po zhvillohen me Bankën Botërore për një program mbështetës për Kosovën në shumën prej 50 milionë eurosh, pjesa më e madhe e të cilave do të jenë si grante, ndërsa një pjesë tjetër kredi pa kamatë. Sipas Hamzës, kjo marrëveshje sapo të finalizohet në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore do të gjejë mirëkuptim dhe do të aprovohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës.


Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Faith, në një ligjëratë të mbajtur në Universitetin Amerikan të Kosovës - AUK, ka thënë se Kosova duhet t’i përmbahet marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar. 


“Plani për rritje të pagave duhet të shikohet mirë dhe në konsultim me FMN-në të arrihet një marrëveshje për rritje të pagave. Mosrespektimi i marrëveshjes me FMN-në nga Qeveria e Kosovës vë në rrezik programin me këtë fond”, ka thënë Faith./kn
shko