e diel, 17 prill 2011

EULEX'i "punët keq"-përfshihet vetë në keqpërdorime

Zyrtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë kanë pranuar se një punonjës i lartë i tyre ka abuzuar pozitën e tij zyrtare. 

Alexandra George, zëdhënëse e EULEX-it, ka thënë për Express se akuzat për abuzim të autoritetit dhe shkelje janë bërë kundër një anëtari ndërkombëtar të personelit të EULEX-it dhe se ato janë marrë seriozisht. 

“Një hetim i brendshëm ka nisur dhe rezultatet priten shumë shpejt. Ne nuk mund të komentojnë specifikat e akuzave, sepse, në këtë fazë, ato janë vetëm akuza”, ka thënë George. 

Sipas saj, EULEX e merr tepër seriozisht çdo akuzë për sjellje të keqe të personelit. 

“Ne kemi hetuar raste në të kaluarën dhe nuk kemi hezituar të ndërmarrim veprime, kur është e nevojshme. Kjo mbetet politika jonë”, u shpreh George. 
Por, zëdhënësja nuk e bën publik identitetin e personit që hetohet. “Duhet mbrojtur të drejtën e jetës private të të gjithë personave”, thekson ajo. “Do të doja të them përsëri se akuzat janë marrë shumë seriozisht dhe janë duke u trajtuar me shpejtësi dhe sipas procedurave korrekte të procesit të rregullt ligjor”. 

George i bëri këto komente pas qarkullimit të një informacioni nëpër media, të shtunën, se brenda EULEX-it ka shpërthyer një skandal. Klan Kosova ka raportuar se një zyrtar i lartë administrativ i këtij misioni ka abuzuar vazhdimisht me stafin lokal që punonte me të dhe se ai, gjithashtu, i ka kërcënuar ata se do të pësojnë në rast të denoncimit. Për rastin është njoftuar edhe Brukseli. “Çështja tashmë ka mbërritur në Bruksel dhe po diskutohet atje. Kurse thuhet se personi i akuzuar ka ushtruar dhe ka pasur një pozitë të lartë në hierarkinë e misionit”, ka raportuar Klan Kosova. Ndërkohë, një ekip hetimor është ngritur brenda EULEX-it për të shqyrtuar çështjen, e cila është ndërlikuar edhe më tej, pas denoncimit të bërë nga personeli lokal. 

Ndërkohë, po të shtunën, ish-ministri i Transportit, tash deputeti Fatmir Limaj, ka deklaruar se një institut evropian i pavarur është duke e hetuar EULEX-in. “Mund të them që ka ardhur një institut evropian ose një organizatë joqeveritare, institut i pavarur, i cili është duke bërë hulumtime, duke e hetuar EULEX-in dhe ka ardhur konkretisht me mua një kohë, për rreth 4-5 ditë”, ka thënë Limaj.

Sipas tij, ata kanë kërkuar nga ai të jep mendime rreth misionit të EULEX-it. “Ata janë duke e hetuar punën e EULEX-it, sigurisht edhe ata e kanë parë se unë jam simboli që EULEX-i ka bërë shkelje eklatante në të dyja rastet”, ka deklaruar Limaj në një intervistë për Radion Europa e Lirë
shko