e hënë, 11 prill 2011

I mrekullueshmi Manu Chao

Derisa të dielën mbrëma atmosfera në Prishtinë po nxehej fillimisht nga grupet shqiptare, afro 3000 shikuesit e mbledhur në Sallën e Sporteve të Pallatit të Rinisë duket se nuk kishin durim të prisnin gjatë performimin e Manu Chao’s. E, ky i fundit megjithatë ua shpërbleu pritjen. Interpretoi për më shumë se dy orë. Dhe, ishte i mrekullueshëm.

Orët e vona të 10 prillit u nxehën me tingujt e veçantë të këngëtarit francez, Manu Chao. Për më shumë se dy orë, performanca e tij i kënaqi të rinjtë dhe adhuruesit e tjerë të grupit, që njihet me hitet “Me gustas tu”, "Klandestino", "Bongo Bongo”, etj. 
Gupet shqiptare u mirëpritën nga publiku, derisa po e nisnin një natë vërtet të nxehtë në Sallën e Sporteve të Pallatit të Rinisë. 

Të parët që performuan ishin të rinjtë e grupit The Glasses, e pas tyre edhe veteranët e Blla Blla Blla. Pas një seria këngësh që u pritën mirë, ata ia dorëzuan skenën Manu Chao’s. E, ky i fundi dukej i mahnitur nga të rinjtë kosovarë, të cilët i brohorisnin pandërprerë. Natën ia filloi me hitin “Me gusta marijuana”, të cilën e këndoi gati në kor, bashkë me rreth 2,000 veta, sa ishin të pranishëm përballë tij. 

Manu Chao, këndoi dhe kërceu pandërprerë nën tingujt e muzikës së tij. E, kur u bë shumë ‘nxehtë, ai nuk hezitoi që të shpërthekojë edhe pullat e këmishës, për të afruar pastaj mikrofonin në gjoksin e zhveshur, brenda të cilit dëgjoheshin rrahjet e shpejta të zemrës. 

Këtë gjest e përsëriti disa herë, duke dashur që kështu të afrohet me atmosferën që publiku në Prishtinë po e mbante për mrekulli. 

As atëherë kur koncertit po i afrohej fundi shikuesit nuk po ndaleshin, kështu që Manu Chao u detyrua të kthehej edhe dy herë në skenë. Ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e publikut ato që e bënë për vete, dhe e kthyen prapa që ta vazhdonte natën. Sikur as kjo nuk mjaftoi, dhe Manu Chao u desh të kthehej sërish, këtë herë për herë të fundit, që të interpretonte tri këngë të tjera, të cilat u mirëpritën po aq sa i gjithë koncerti. 

“Edhe një këngë, por kjo është e fundit”, tha Manu Chao, derisa po i drejtohej publikut përmes këngës që edhe e përmbylli koncertin e tij të 10 prillit në Prishtinë. 

E, koncerti dhe muzika e Manu Chao’s për shumë shikues duket se të mbeten ngjarje e paharruar. 

“Jam kënaqur sonte. Muzikën e Manu Chao’s e dëgjoja nganjëherë, por tash a tutje do ta dëgjoj shumë, shumë më shpesh”, theksoi 
Valëza Luma, nga Prishtina. 

Nga ana tjetër, ardhja e Manu Chao’s në Prishtinë duket se nuk i joshi vetëm të rinjtë, ngase koncerti brenda vetes përthekoi mosha të ndryshme vizitorësh. Ata më në moshë duket se u kënaqën dhe vallëzuan po aq sa edhe të rinjtë. 

“Erdha bashkë me gruan që të dëgjoj muzikë të mirë. Dhe, që të dy po ndahemi të kënaqur”, tha Agim Berisha, nga Prishtina. 

Ndryshe, koncertin e organizoi kompania Surf, e cila njihen si organizatore e koncerteve tjera të mëdha në Kosovë, si 50 Cent, Buena Vista Social Club, Nouvelle Vague dhe Morcheeba, që të gjitha të vlerësuara si koncertet më të mira tek ne. Megjithëse, sipas koordinatorit të koncertit, Vigan Ramadanit, ky i Manu Chao’s do të shënjohet si më i miri deri më tani. 

Ramadani tha për gazetën se është tejet i kënaqur me arritjet e koncertit, duke shtuar se edhe publiku atë e ka perceptuar si njërin prej koncerteve më të mira që kanë parë ndonjëherë në jetë. 
“Kemi pasur reagime shumë të mira nga publiku. Salla ka qenë pothuajse e mbushur maksimalisht, sepse në koncert kanë qenë afro 3000 njerëz”, pohoi ai. 

Sa i përket vetë koncertit, Ramadani nënvizon se përveçqë koncerti në Prishtinë u frekuentua nga mysafirë të moshave të ndryshme dhe nga gazetarë vendorë, ai nuk u anashkalua as nga pesë media të njohura botërore. 

“I kishim më shumë se 50 gazetarë të akredituar, disa nga të cilët në koncertin e të dielës mbrëma erdhën media të njohura botërore. Nga ana tjetër, edhe vetë Manu Chao është ndarë shumë i kënaqur. Ai ka kënduar për më shumë së dy orë, ngase e ka respektuar publikun e Kosovës, por edhe është shprehur shumë i kënaqur me atmosferën e krijuar. Gjithashtu, atij i ka pëlqyer shumë edhe ushqimi dhe qyteti jonë, ku ka qëndruar deri në orët e hershme të mëngjesit”, shprehet Ramadani. 

Sipas tij, të dielën në mëngjes, Manu Chao i vizitoi edhe fëmijët bonjakë në Prishtinë, të cilëve ua dha nga një dhuratë. 

Manu Chao, kështu, e kreu performimin e tij fantastike në Prishtinë. Koncerti në kryeqytetin kosovar ishte pjesë e turneut ballkanik “La ventura”, të cilën e kishte filluar në fillim të prillit. Fillimisht qëndroi në Novi Sad (Serbi), e këtë diele edhe në Prishtinë, ndërkaq të martën do të udhëtojë për Tiranë. 

Sikurse që ndodh tash sa vjet, edhe kësaj radhe kompania Surf, e mbështetur nga kompania kosovare e telekomunikimit, IPKO, mundësoi që as Prishtina të mos mbetet prapa qyteteve rajonale – të paktën sa i përket muzikës cilësore botërore.
shko