e mërkurë, 20 prill 2011

Kuçi: Marnhac gaboi

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka  thënë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së se shefi i EULEX-it, Marnhac, ka rrëshqitur pak, ka bërë një deklaratë të pamatur dhe pa u konsultuar paraprakisht me të. 
Kjo ka qenë përgjigja e tij lidhur me deklarimin e shefit të EULEX-it se kthimi i ligjit dhe i gjyqtarëve në veri të Kosovës duhet të ketë një marrëveshje politike me autoritetet e Serbisë. Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk bëjnë asnjë kompromis dhe asnjë marrëveshje me askënd për zbatimin e ligjeve të Kosovës. 


Ai, ka deklaruar se është duke bërë presion të vazhdueshëm për vendosjen e gjyqtarëve vendorë në gjykatën në veri të vendit. Ndërkohë, deklarimi i Marnhacut, siç duket, vërtet, është qëndrimi i misionit që drejton. 


Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, ka thënë se kthimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve nuk varet nga EULEX-i, duke shtuar se ky mision ka rritur numrin e gjykatësve ndërkombëtarë në 7. Ndërkaq, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, e ka quajtur të dështuar EULEX-in. “Për çështjen e gjykatësve po del se po vendos Beogradi”, ka thënë Peci./kn
shko