Derisa deputetët që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë nënshkruar iniciativën për interpelancë, ata të “Lëvizjes për Bashkim”, që janë në koalicion me lëvizjen e Albin Kurtit, Aurora Bakalli dhe Afim Kuleta kanë kundërshtuar një iniciativë të tillë duke mos e nënshkruar, shkruan sot “Zëri”.
Të irrituar nga injorimi i programit të tyre politik dhe nga mungesa e debatit në Grupin parlamentar të kësaj lëvizjeje, Bakalli dhe Kuleta kanë vendosur që t’i thonë “jo” interpelancës.
Këtë çështje e ka konfirmuar për gazetën kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, i cili i ka thënë “Zërit” se deputetët e partisë së tij nuk e kanë nënshkruar interpelancën ngase nuk janë pajtuar me mënyrën si është thirrur ajo.
“Nuk e kanë nënshkruar. Sa i përket pjesës për interpelancë, jemi shumë dakord. Një interpelancë për transparencë të bisedime është shumë e mirë, por nuk jemi pajtuar me mënyrën e zgjidhjes së veriut, pra me përpjekjet e shtrirjes së sovranitetit në veri pa marrëveshje politike dhe pa bisedime dhe gjithashtu nuk jemi pajtuar që kjo çështje të futet në kuadër të interpelancës”, ka thënë Klinaku.
Ai madje ka thënë se gjithçka është vendosur në zyrat e Vetëvendosjes, pa u mbledhur fare Grupi parlamentar dhe pa debat mes deputetëve.
“Jo fare, nuk ka pasur mbledhje. Kanë kërkuar ta nënshkruajmë iniciativën, sepse sipas tyre, është çështje teknike, por ne nuk kemi pranuar”, është shprehur Klinaku.
Qëndrimet e kundërta të deputetëve të Lëvizjes për Bashkim dhe të Vetëvendosjes, të cilët veprojnë në kuadër të një grupi parlamentar, të martën i kanë konfirmuar edhe drejtuesit e Vetëvendosjes.
Anëtari i kësaj lëvizjeje, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk është i informuar për arsyen e deputetëve të Lëvizjes për Bashkim që të mos përkrahin interpelancën.
“Edhe deputetët e Vetëvendosjes nuk e kanë nënshkruar, sepse nuk kanë qëlluar aty. Shpejt e shpejt e kemi bërë atë punë, kush ka qenë në Vetëvendosje fizikisht e ka nënshkruar dhe e kemi dërguar”, ka thënë Konjufca, duke konfirmuar se për thirrjen e kryeministrit në interpelancë nuk ka pasur fare debat të Grupit parlamentar.
Sipas tij, kjo interpelancë parlamentare ndaj kryeministrit Thaçi, pritet të mbahet në fillim të muajit maj.
Ndërsa analisti Behxhet Shala thotë se qëndrimet e ndryshme të deputetëve në raport me interpelancën dëshmojnë se në Vetëvendosje nuk ka demokraci të brendshme dhe se në këtë subjekt politik vendimet merren siç kërkohen “nga lart”.
“Kjo tregon se demokracia te subjektet politike është shumë e brishtë dhe shumë e diskutueshme. Edhe Lëvizja Vetëvendosje si subjekt i ri politik duket se e ka të njëjtën sëmundje, sikurse partitë tjera. Mungon debati i brendshëm, mungon demokracia e brendshme, për këtë arsye kemi raste kur ka kundërshtime brenda subjektit politik, të cilat vetëm sa e zbehin fuqinë e tij”, thotë Shala.
Sipas tij, nuk do të shkojë kohë e gjatë e përçarjet në këtë subjekt politik do të dalin në sipërfaqe dhe si të tilla do të reflektojnë me fraksione dhe ndarje të partisë në dysh.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lëvizja për Bashkim në zgjedhjet e fundit kanë garuar së bashku dhe kanë fituar katërmbëdhjetë vende në Kuvend. Këto dy subjekte politike kanë pasur edhe më parë qëndrime të ndryshme në raport me proceset e ndryshme në vend.
Burime brenda Lëvizjes Vetëvendosje i kanë thënë gazetës se në këtë subjekt politik janë shtuar debatet e nxehta, ku nuk po mungojnë as qëndrimet e ndryshme të deputetëve.
“Debat i ashpër ka qenë kur është diskutuar për çështjen e pjesëmarrjes ose jo në votimin e presidentes Jahjaga. Një pjesë e deputetëve kanë qenë kundër, një pjesë për pjesëmarrje, por në vota kanë fituar përkrahësit e Albin Kurtit, pra versioni i bojkotimit të seancës. Për këtë arsye disa deputetë nuk kanë ardhur fare atë ditë në Kuvend”, ka thënë njëri nga deputetët e Vetëvendosjes, në kushte anonimiteti./kn