Së fundi, dështimin në kthimin e gjykatësve dhe të prokurorëve të Kosovës në veri, misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit nuk e sheh si përgjegjësi të veten.
Një ditë pasi shefi i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, tha se për funksionalizimin e gjykatës në veri të Mitrovicës është e nevojshme një marrëveshje politike në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, të nisur në Bruksel, zyrtarë nga misioni kanë saktësuar se një gjë e tillë madje as që është në mandat të tyre.
“Jo, kthimi i gjykatësve dhe i prokurorëve vendorë nuk është pjesë e mandatit të EULEX-it, edhe pse qëndrimi i misionit është që ata të kthehen në të ardhmen”, ka thënë për “Kohën Ditore” zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi. Ai ka thënë se kthimi i tyre nuk varet nga EULEX-i, ndërsa ka shtuar se ky mision e ka rritur numrin e gjykatësve ndërkombëtarë në 7, “edhe pse qëllimi përfundimtar është kthimi i prokurorëve dhe i gjykatësve vendorë”.
“Sidoqoftë, EULEX-i nuk mund të japë ndonjë datë për kthim, pasi që kjo nuk varet vetëm nga misioni ynë. EULEX-i vazhdon të inkurajojë palët e përfshira të punojnë në gjetjen e një zgjidhjeje pragmatike”, ka thënë Krasniqi, duke përcjellë qëndrimin zyrtar të misionit./kn