AKR –ja do të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare si koalicion politik me akronimin AKR-PD-PSD.
Kjo u bë e ditur të dielën, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion ndërmjet kryetarëve të dy subjekteve politike, Behgjet Pacolli dhe Agim Çeku.
Presidenti i AKR-së, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, ka thënë se arritja e kësaj marrëveshjeje është bërë duke vlerësuar se proceset e shtet-ndërtimit të vendit imponojnë nevojën për mobilizimin e të gjitha resurseve politike për tejkalimin e sfidave serioze.
“Ne kemi nevojë për politikë dhe ne kemi nevojë për politikanë të sinqertë, të cilët nuk punojnë për interesat e veta partiake, por që punojnë për interesat e kombit, për interesat e qytetarit”, ka thënë Pacolli.
Ndërkaq, Agim Çeku ka theksuar se ekzistojnë disa arsye pse PSD-ja i është bashkuar AKR-së. “Një ndër arsyet kryesore është që AKR-ja nuk mban përgjegjësi për dështimet në qeverisje të deritashme dhe se AKR-ja ka kapacitete të mjaftueshme për të udhëhequr bashkërisht Kosovën”, ka thënë Çeku./koha