FBK-ja të martën ka njoftuar se suspendimi i përjetshëm i Mustafës i marrë nga komisari i garave është zbutur në një vit. Basketbollisti mitrovicas do të ketë të drejtë loje vetëm pas datës 13 prill të vitit 2012.
Mustafa javën e shkuar mori suspendimin e përjetshëm, që ishte më i rëndë i shqiptuar në basketbollin kosovar paslufte pas incidentit që ndodhi para fillimit të ndeshjes ndërmjet Bambit dhe Trepçës. Në arsyetimin e KA-së të FBK-së, thuhet se "Mustafa fillimisht është provokuar nga basketbollisi i Bambit, Igor Dashiq" dhe se më pas ka reaguar në afekt.
"Komisioni Arbitrar mori parasysh faktet e prezantuara në ankesën e Trepçës dhe atë të delegatit ku thuhet se Mustafa është provokuar nga Igor Dashiq. Ky konstatim na jep të kujtojmë se basketbollisti Mustafa e ka realizuar sulmin fizik në gjendje të afektit", thuhet në njoftimin e FBK-së.
Mustafa shpreson se brenda një kohe të shkurtër dënimi i tij do të zbutet edhe më shumë. Ai thotë se vendimi i parë me dënim të përjetshëm nuk kishte të bëjë aspak me realitetin. Këtë vendim Mustafa e pati marrë afër zemrës dhe prej asaj dite nuk është paraqitur fare në klub. Ai mendoi se karriera e tij mori fund qysh në moshën 23-vjeçare.
"Vendimi i parë ishte pak i ngutshëm, pasi Federata ka marrë parasysh vetëm versionin e Bambit. Vendimi i parë ishte katastrofal dhe më dërrmoi totalisht. Pasi mora atë vendim ndërpreva stërvitjet dhe vetëm me telefon kam kontaktuar me klubin", tha Mustafa. "As vendimi njëvjeçar nuk është i vogël, por shpresoj se në të ardhmen do të zbutet ende. Është kohë e gjatë të pauzoj një vit, por unë nuk do të pushoj, do të stërvitem si me klubin ashtu edhe individualisht".
Ndërkohë KA-ja e FBK-së ka refuzuar ankesën e Trepçës për gjobitjen e basketbollistëve Besnik Azemi e Brahim Veseli dhe zyrtarit Naim Hajrizi, po për incidentin me Bambin./k.n