Ky takim nis prej orës 17:00 në Pallatin e Sporteve dhe të Rinisë, derisa turqve nuk u pritet të luajnë para tifozëve të zjarrtë të BMB Prishtinës, e cila vazhdimisht po organizon miqësore të tilla ndaj kampionëve të vendeve të ndryshme.
“Jemi të kënaqur që kemi ardhur në Kosovë dhe nikoqirët i falënderoj për mikpritjen. Mos të harrojmë se kemi lidhje vëllazërore me popullin e Kosovës dhe kjo e bën më madhështore këtë ndeshje. Për mua personalisht, kjo ndeshje është e një rëndësie të veçantë, pasi unë kam origjinë shqiptare nga Kosova dhe mburrem me këtë fakt”, ka thënë kryetari i ekipit turk, Cengiz Çakmak.
Njëjtë është shprehur edhe trajneri i turqve, Murat Kaya. Ai theksoi se ekipit të tij do t’i mungojnë katër lojtarë në këtë takim.
“Te ne futsalli ka filluar të zhvillohet që tri vite. Andaj lojtarët e futsallit kanë të drejtë të luajnë edhe në futboll. Kështu, shkaku i angazhimeve në futboll, do të na mungojnë katër lojtarë. I kemi pa disa xhirime të BMB Prishtinës. Është ekip cilësor me tifozë të shkëlqyeshëm”, tha Kaya në një konferencë për media.
Mysafirëve mirëseardhje u ka uruar nënkryetari i BMB Prishtinës, Visar Miftari dhe kryetari i Komisionit të Futsallit pranë Federatës së Futbollit të Kosovës, Ismajl Kosumi.
Ndërsa kapiteni i prishtinasve, Sunaj Keçi pohoi se ekipi i tij në këtë miqësore synon të shënojë fitore. Organizatorët besojnë se kjo ndeshje do të shndërrohet në spektakël, pasi edhe hyrja në palestër për shikues do të jetë pa pagesë.
Në këtë konferencë është bërë e ditur se shumë shpejt BMB Prishtina do ta zhvillojë edhe një miqësore tjetër ndaj kampionit të Kroacisë.