e diel, 17 prill 2011

Peja fiton derbin për t’u ngjitur në krye

Lëndimet e Valdet Grapcit dhe të Vigan Radonit në çerekun e katërt rrezikuan seriozisht fitoren e Pejës kundër Bambit.


Skuadra pejane të shtunën mbrëma në palestrën "Karagaçi" në Pejë mposhti Bambin me rezultat të ngushtë 65:62, në derbin e javës së 26-të të BKT Superligës së Kosovës në basketboll. 
Peja në çerekun e katërt u fut me një epërsi prej 26 pikëve (59:33), por lëndimet e Grapcit e Radonit ndikuan që epërsia e vendësve të zvogëlohet në dy pikë të vetme. Grapci e Radoni janë ndër bartësit e lojës së ekipit pejan. 


"Ekipi ynë luajti vetëm me gjashtë lojtarë, pasi gjashtë të tjerët janë juniorë. Kemi luajtur shumë mirë duke pasur parasysh përbërjen që kishim. Bambi ka ekip më të mirë, por dëshira jonë për të fituar ishte më e madhe dhe ndikoi në rezultatin final", tha trajneri i Pejës, Bujar Loci. Ai ka bërë të ditur se nga skuadra është larguar qendra boshnjake Adnan Bajramoviq. 


Te Peja më efikasët ishin Samir Shaptahoviq me 26 pikë të shënuara dhe Rron Grapci me 14 pikë. Në të vërtetë, Shaptahoviq e Grapci ishin të vetmit te Peja që realizuan pikë dyshifrore. 
Për Pejën kjo është fitorja e parë kundër Bambit në këtë edicion. Tri përballjet e para i fitoi ekipi nga veriu i Mitrovicës, që përbëhet nga basketbollistë serbë. 


Me këtë fitore Peja ka tubuar 47 pikë dhe është ngritur në pozitën e parë. Sigal Prishtina është e dyta me 46 pikë, por ka dy takime më pak të zhvilluara, kurse Bambi ka 44 pikë dhe zë vendin e tretë. Edhe Bambi ka dy takime më pak të luajtura. Nuk ka luajtur me Prishtinën në kuadër të javës së 22-të dhe kundër Trepçës në kuadër të javës së 25-të. Në fakt para ndeshjes me Trepçën që është dashur të zhvillohet të dielen e kaluar ndodhi një rrahje masive në mes basketbollistëve të dy skuadrave e ku u përfshinë edhe një numër i tifozëve. 


"Ishim në ngërç nga incidenti i javës së kaluar dhe kjo ka ndikuar. Tre lojtarë të skuadrës sonë janë larguar nga frika dhe nuk duan të luajnë më. Deri në fund do të jetë luftë e fortë për vendin e dytë", tha kapiteni i Bambit, Igor Dashiq. 


Milan Strinkoviq me 14 pikë dhe Jugoslav Dashiq me 12, ishin shënuesit më të mirë te Bambi. Pikë dyshifrore shënoi edhe Ljubodrag Bogavac (11). 
Bambi në këtë duel vetëm njëherë shijoi epërsinë. Në minutën e tretë rezultati ishte 11:7 në të mirë të ekipit mysafir. Pas kësaj, skuadra e Pejës mori lojën nën kontroll. Në sekondat e fundit të çerekut të dytë, Peja kishte epërsi prej 20 pikëve (43:23). Në çerekun e katërt Bambi ishte më efikas. E nisi me një seri 17:1, por megjithatë nuk arriti ta përmbysë rezultatin. 


Derbi tjetër i javës së 26-të në mes Trepçës e Sigal Prishtinës është shtyer për më vonë. Drejtuesit e Trepçës kanë vendosur të shtyjnë takimin nga frika e ndonjë incidenti eventual. Sipas tyre tifozët mitrovicas janë shumë të frustruar me vendimin e FBK-së që suspendoi përjetësisht basketbollistin e Trepçës, Safet Mustafën për shkak të incidentit të ndodhur para ndeshjes me Bambin. 

Peja - Bambi    65:62
Peja: Hajzeraj, Radoni 9, V. Grapci 8, Kuraja 6, Shaptahoviq 26, Rr. Grapci 14, Nallbani, Dupa, Qollaku, Hajdari, Shala, Idrizaj 2. 
Bambi: Gajoviq, J. Dashiq 12, Parlov 8, Strinkoviq 14, N. Dashiq 4, Petroviq 6, Bogavac 11, Devrnja 6, I. Dashiq./k.n
shko