e shtunë, 16 prill 2011

SHIK-u me dyer të hapura në Qeveri

Bashkëpunimi mes shefit të Shërbimit Inteligjent të Kosovës, Kadri Veseli, dhe zyrtarëve të lartë të shtetit, është konfirmuar të premten nga dy ish-kryeministra të Kosovës: Bajram Rexhepi dhe Bajram Kosumi.
Të dy e kanë pranuar se Veseli ka qenë në zyrat e tyre, ani pse shërbimi sekret, të cilin ai e ka drejtuar përreth një dekadë, nuk ka qenë i mbështetur në kornizat ligjore të pasluftës. Por të dy e kanë mohuar që shefi i SHIK-ut u ka raportuar në baza të rregullta vjetore mbi aktivitetet e punës së organizatës. 
Niveli i komunikimit të tyre me Veselin megjithatë del të mos ketë qenë i njëjtë. Derisa Rexhepi thotë se herë pas here ka marrë informacione nga shefi i SHIK-ut, Kosumi deklaron se me Veselin ka diskutuar vetëm rreth idesë së krijimit të agjencisë shtetërore të inteligjencës. 
Rexhepi, që njihet edhe si kryeministri i parë i Kosovës, edhe sot ka bindjen se nuk ka bërë asnjë gabim që ka pranuar informata nga njeriu më enigmatik i dekadës së fundit. 
Në një bisedë telefonike, ministri aktual i Punëve të Brendshme ka rikujtuar se gjatë kohës kur ka qenë në krye të Qeverisë ishte dashur që të siguronte informata sekrete me qëllim të parandalimit të incidenteve me përmasa të mëdha për vendin. Në atë kohë, sipas tij, në Kosovë ka pasur edhe shumë shërbime të huaja sekrete, përfshirë edhe shërbimin e inteligjencës së UNMIK-it dhe atë të KFOR-it.  
Më shumë lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”. 
shko