e mërkurë, 4 maj 2011

Thaçi nesër përballet me “Vetëvendosjen”

Kryeministri Hashim Thaçi do të përballet të enjten me deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje” për çështjen e “bisedimeve teknike”, që janë duke u zhvilluar në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Do të jetë kjo interpelanca e parë e tij para përbërjes së katërt të legjislativit. Deputetët e “Vetëvendosjes” në vazhdimësi e kanë kundërshtuar hyrjen në bisedime me Serbinë, të bindur se nga këto bisedime Kosova nuk do të përfitojë asgjë, ndërsa Serbisë do t’i mundësohet integrimi në BE. 


Udhëheqësi i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të Komisionit parlamentar për punë të jashtme, ditë më parë ka polemizuar edhe me udhëheqësen e delegacionit të Kosovës në këto bisedime, zv.kryeministren Edita Tahiri. Ai, madje pati kërkuar prej saj edhe procesverbalet dhe transkriptet e bisedimeve të deritashme. Bisedimet me Serbinë në muajin mars janë mbështetur me Rezolutë të veçantë të Kuvendit të Kosovës, ndonëse ajo nuk i ka marrë votat e tri partive opozitare: LDK-së, AAK-së dhe të “Vetëvendosjes”.

Në atë rezolutë precizohet se agjenda e dialogut me Beogradin do të përfshijë vetëm çështjet teknike të interesit të përbashkët, pa prekur në asnjë rast sovranitetin e Kosovës, subjektivitetin, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm kushtetues të Kosovës. 
Përmes Rezolutës, Kuvendi ka obliguar Qeverinë që ta paraqesë dokumentin themelor të dialogut brenda një afati të pacaktuar ligjor.


Shefja e delegacionit të Kosovës për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, është ngarkuar që ta informojë në baza të rregullta Komisionin për politikë të jashtme dhe komisionet e tjera përkatëse të Kuvendit të Kosovës. Veç kësaj, ajo do të duhej të raportonte edhe në seancë plenare për rrjedhën e bisedimeve. 



Kuvendi i Kosovës, me anë të kësaj Rezolute, ka shprehur vullnetin e qytetarëve për të vendosur marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë, në të mirë të dy vendeve, të dy popujve, të integrimeve evropiane dhe të stabilitetit e prosperitetit të përgjithshëm të rajonit.
  
Në po këtë seancë do të debatohet lidhur me gjendjen e sigurisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë, sipas kërkesës së deputetit Nait Hasani, mbështetur edhe nga deputetë të tjerë.
shko