Siç kemi deklaruar më 21 korrik të këtij viti, kur në Tribunalin e Hagës u mor vendimi për rigjykimin e pjesëshëm të Kryetarit Haradinaj, të shpallur të pafajshëm për të gjitha akuzat më 3 prill 2008, zhvillimet politike në Kosovë dhe rreth Kosovës dëmtohen thelbësisht me mungesën e liderit të opozitës së Kosovës.
Kosovën në javët dhe muajt e ardhshëm e presin sprova të mëdha, përballja me të cilat do të ishte shumë më e lehtë për politikën dhe shtetin e Kosovës, sikur midis nesh të ishte Kryetari Haradinaj.
Në bazë të arsyetimit të vendimit të 10 shtatorit, të Tribunalit të Hagës, me të drejtë presim që rigjykimi i pjesëshëm i Kryetarit Haradinaj të fillojë së shpejti.
Jemi të sigurt që edhe kësaj radhe Kryetari Haradinaj do ta rikonfirmojë pafajësinë e tij dhe që ai do t’i prijë AAK-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në të cilat AAK do të dalë fituese, duke marrë përgjegjësinë për t’i prirë Qeverisë së Kosovës.
AAK informon mediat dhe opinionin e gjerë që Besnik Tahiri, në emër të AAK-së është i autorizuar për të komunikuar me mediat për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me rigjykimin e Kryetarit Haradinaj në Tribunalin e Hagës.
