Për t’u bërë një kampion, rruga është e gjatë dhe perfeksioni arrihet pak nga pak. Duhet një teknikë e përkryer stërvitjeje, si në fushë, ashtu dhe në palestër
Shumë persona në botë praktikojnë të paktën një lloj sporti. Çdo njeri shpreson pafundësisht në të ardhmen e tij, por më shumë se vetë ai, shpresojnë prindërit. Qëllimi? Që kur të rriten të bëhen kampionë.
Por a mund të arrihet diçka e tillë duke u stërvitur vazhdimisht? Nga pikëpamja biologjike, talenti është pjesërisht i parapërcaktuar. Njeriu lind me një strukturë skeletore, muskulore, nervore, me një metabolizëm energjik dhe forcë kardiake të trashëguar nga prindërit. Për shembull, kampioni i çiklizmit, Lance
Armstrong, ka një zemër më të madhe në krahasim me atletët e tjerë të të njëjtit nivel. Ajo që duhet të dinë të gjithë është se vetë natyra nuk mund të bëjë një kampion. Karakteristikat njerëzore janë fryt i ashkëveprimit mes gjeneve dhe ambientit, ndërsa stërvitja i lejon një sportisti të shprehë të gjitha fuqitë. Shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se kampionët lindin, edhe pse “nuk janë testet gjenetike ato që e parashikojnë. Talenti sportiv është një përzierje mes shumë faktorëve dhe atletëve, nga profesionistët tek amatorët, që mund të arrijë nivele performance të jashtëzakonshme me një stërvitje të veçantë.
Ka persona, të cilët i trajnojnë atletët në bazë të “një formule stërvitore”: “Niset që nga përzgjedhja e karakteristikave antropometrike të atletit, si gjatësia, pesha dhe mosha në bazë të aktivitetit sportiv”, shpjegon një specialist. Më pas merren në konsideratë faktorët e prirjes, si parapërgatitja mendore ndaj garës që e bën atletin të motivuar, të përqendruar e të çlodhur në këtë të fundit. Por jo të gjithë sportistët zotërojnë diçka të tillë. Më shumë se sa frika e humbjes, ajo që përmbys një rezultat sportiv mund të jetë frika e fitores, e thënë ndryshe në gjuhën mjeko-sportive “nikefobia” ose ankthi që godet edhe sportistët e nivelit të lartë kur janë pranë fitores. Karakteristikat që ndikojnë në rritjen e disa aftësive të rëndësishme atletike janë përbërësit psikologjikë dhe konteksti social. “Zhvillimet psiko-motore në fëmijëri ndikohen nga sistemi nervor, por edhe nga ambienti, veçanërisht nga aspektet sociale, kulturore, edukative, elemente këto të barasvlershme apo më të rëndësishme sesa stërvitja fizike. Në zhvillimin e një kampioni të fuqishëm ndikon edhe ambienti familjar dhe ai shkollor”, vijon specialisti. E rëndësishme është edhe zona gjeografike ku lind, e cila është “kampione” e specializuar për zhvillimin e një sporti të vetëm, ndërsa pjesa tjetër plotësohet nga stërvitja. Trajneri ka detyrën të monitorojë dhe të korrigjojë marrëdhënien e atletit kundrejt stimujve dhe stresit të stërvitjes për të përmirësuar fuqinë muskulore dhe metabolike. Në të vërtetë, organizmi pasi ka pësuar stres fizik, shkon kundër përshtatjes dhe një ekuilibri të ri. Është trajneri ai që kujdeset për të arritur një tjetër përshtatje, ndaj synon gjithmonë në përgatitjen më të madhe me qëllimin e vetëm për të fituar. Në fakt nuk duhet dëgjuar këshilla e ekspertëve, që duhet të stërvitesh shumë më shumë mbi normën e lejuar, sepse një gjendje e tillë mund të ndikojë në një paraqitje të dobët të kampionit. Që këtej vlen të theksohet se koha e rikuperimit s’duhet të jetë në proporcion të drejtë me lodhjen. Në fund të gjithë kësaj qëndron edhe aftësia për të ndjekur mirë “veprimin teknik”. Këtu mund të përmendim notin ku vendosen përherë rekorde të reja dhe është e vështirë të besosh se e gjithë kjo është meritë e rritjes së fuqisë muskulore të atletëve. Por në të vërtetë është studimi i vazhdueshëm dhe rritja e lëvizjeve të trupit në ujë ato që përmirësohen me kohën. “Ndërtimi shkencor” i atletëve të olimpiadave plotësohet me përdorimin e mjeteve mekanike dhe elektronike që monitorojnë stërvitjen, korrigjimin e veseve, defekteve dhe përmirësimin e veprimeve teknike. Analizimi i hollësishëm i tyre është një mjet shumë i mirë për të ndihmuar trajnerët. “Të gjithë mund të kthehen në atletë të një niveli të lartë, por që në fëmijëri duket nëse ke ose jo talent për t’u bërë i tillë. Talenti në futboll është diçka e lindur dhe ka fëmijë që dhjetë vjeç mund të bëjnë me topin ato që bën një kampion i madh”, thotë drejtori teknik i një skuadre futbolli. Megjithatë, nëse je ose jo kampion mund të dallohet pas moshës 13-vjeçare, kur piqen edhe përbërësit bazë si: lëvizja me lehtësi, driblimi, gjuajtjet në portë dhe mbajtja e topit. Po ashtu një person vërehet që në adoleshencë nëse ka fizik të përshtatshëm ose jo për futbollin. Ekspertët theksojnë se duhet pasur kujdes edhe ndaj shumë gjërave të tjera. “Për t’u bërë një kampion, rruga është e gjatë dhe perfeksioni arrihet pak nga pak. Duhet një teknikë e përkryer stërvitjeje, në fushë dhe në palestër. Gjithashtu duhet qëndrueshmëri, vullnet, ambicie, respekt dhe shpirt sakrifice. Janë të shumtë të rinjtë 15 apo 16-vjeçarë që kanë talent, por nuk kanë durim ta zhvillojnë atë. Por këto dy gjëra pa njëra-tjetrën nuk mund të bëhen”.