Deklarata e ministrit serb pasoi pas protestave të djeshme të mijëra të rinjve nga Lugina e Preshevës, të cilët apeluan që Beogradi të njoh diplomat e Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve tjera të Kosovës.
"Ne jemi të gatshëm të gjejmë zgjidhjen më të mirë për problemin e diplomave nga Kosova, mirëpo kjo duhet të zgjidhet nga të dyja anët", deklaroi ministri Obradoviq.
"Mua më vjen keq që këta të rinj protestojnë për këtë gjë", shtoi Obradoviq duke thënë se Ministria e Arsimit të Serbisë nuk është e vetmja adresë ku ata duhet të drejtohen.
Siç deklaron Obradoviq, problemi është paraqitur kur pas shpalljes së Pavarësisë në diplomat e Universitetit të Prishtinës është vendosur "Republika e Kosovës".
Në pyetjen se problemi i diplomave a do të mund të shqyrtohet në bisedimet e ardhshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Obradoviq u përgjigj se është e mundur, mirëpo këtë nuk mund ta pohojë në mënyrë decidive. /koha