e shtunë, 11 dhjetor 2010

Çdo gjë gati

Mbi 1 milion e gjysmë kosovarë do të kenë të drejtën sot të vendosin dhe të zgjedhin përbërjen e Kuvendit të shtetit.

Institucione të organizimit, monitorimit dhe të sigurisë së zgjedhjeve kanë bërë me dije të shtunën që gjithçka të jetë gati për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se janë bërë përgatitjet e nevojshme për zgjedhjet e së dielës. 



“Të gjitha aktivitetet, të cilat kanë qenë të parapara sipas Planit operacional, ne kemi arritur që t’i përfundojmë në afatet ligjore dhe në përpikëri”, ka thënë ajo të shtunën kur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë-Kosovë, ka pritur përfaqësues të subjekteve politike që garojnë në zgjedhje.


“Ne e kemi sjellë gjithë procesin zgjedhor deri këtu, pra deri në ditën e zgjedhjeve. Ndërsa, sa i takon ditës së nesërme, do të doja t’ju njoftoja se barrën më të madhe do ta keni ju, si subjekte politike, komisionerët dhe vëzhguesit e partive politike”. 
Kryetarja e KQZ-së ka theksuar se organizmi që ajo drejton do t’i hapë qendrat e votimit edhe ne veri të Kosovës. 


“Ne e kemi planin për veriun e Kosovës dhe ai do të zbatohet në veri me përpikëri, pra sa u përket zgjedhjeve dhe qendrave të votimit, ne do t’i hapim qendrat e votimit që janë të parapara sipas Planit operacional: gjithsej katërmbëdhjetë qendra të votimit, ku disa janë fikse e disa mobile”, ka thënë Daka. “Ne do të punojmë dhe do ta implementojmë planin ashtu sikurse e kemi paraparë së bashku me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë që kanë qenë të involvuar që në momentin e parë për Planin operacional për pjesën veriore”.  
shko