e hënë, 13 dhjetor 2010

Cohu: Injorohen dyshimet per manipulim te votes

Organizata Cohu ka reaguar lidhur me procesin zgjedhor dhe prezentimin qe i kane bere organizata te ndryshme ketij procesi


Zgjedhjet e djeshme për shumë aspekte janë një optizmizëm për Kosovën. Në një masë të konsiderueshme qytetarët kanë treguar se kanë interesimin për pjesëmarrjen në politikë. Një pjesëmarrje e kënaqshme në zgjedhje ka krijuar një shpresë se qytetarët kosovar kanë për të qenë politikisht aktiv dhe se e duan një demokraci në vendin e tyre.




Mirëpo, këto zgjedhje kanë zhveshur përfundimisht tentimin e politikës dhe akterëve të tjerë të privilegjuar shoqëror për të manipuluar votën e qytetarit. Informatat jozyrtare që vijnë nga terreni tregojnë se se partitë politike nëpërmjet militantëve të tyre kanë ndërhyrë në një pjesë të konsiderueshme të vendvotimeve dhe kanë bërë presione ndaj vëzhguesve të pavarur dhe vëzhguesve të partive më të vogëla.

Në anën tjetër është për tu shqetësuar një indikator që del nga vëzhgues nga terreni rreth mënyrës si ka funksionuar rrjeti i vëzhgimit “Demokracia në Veprim”. Pjestarë të rrjeteve tjera dhe të vetë “Demokracisë në Veprim” thonë se organizatat udhëheqëse të këtij rrjeti, KDI (Instituti Demokratik i Kosovës) dhe NDI (Instituti Nacional Demokratik), kanë mbyllur këto informacione për publikun.

Indikacione të ngjashme ka pasur edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2009 kur disa incidente serioze të raportuara nga vëzhgues të këtij rrjeti janë mbyllur nga KDI dhe NDI duke bërë që publiku kosovar të mos informohet dhe në këtë mënyrë duke krijuar hapësirë për përsëritjen e dukurive të tilla edhe këtij viti.

Nëse kjo që po ndodhë me “vëzhgimin e pavarur” të zgjedhjeve vazhdon të injorohet, ka rrezik që procesi zgjedhor në Kosovë do të shndërrohet në një proces formal që nuk reflekton demokraci, por një sistem që një sistem që thjesht qytetarit ia imponon vullnetin e krerëve të partive të mëdha në Kosovë.

Insistimi që procesi i zgjedhjeve në Kosovë paraprakisht dhe arbitrarisht të vlerësohet i suksesshëm duke injoruar dhe mbyllur informacionin që tregon për manipulime masive të votës, nuk ndihmon në ndërtimin e demokracisë. Shumë më e shdndetshme për një demokraci është që shkeljet dhe manipulimet të raportohen dhe publiku të informohet mbi to. Kjo është ideja e ekzistimit të një vëzhgimi të pavarur të zgjedhjeve.

Gabimi i bërë nga Komisioni Qendror Zgjedhor dhe i gabimit të KDI-së  në zgjedhjet e Ragovecit ishte një moment për të parë nëse ky sistem vëzhgimi është duke funksionuar. Në vend që ky problem të shifej në hollësi dhe të kishte një reagim e diskutim të tij, ai u injorua. Fushata të tëra mediale të ndërmarra nga “Demokracia në Veprim”, që konsistonin në përkrahjen diplomatike të këtij rrjeti sikur mbylli diskutimet që patën filluar mbi potencialin e manipulimit të vetë vëzhguesëve. 

Injorimi i problemeve të njëpasnjëshme sidomos nga zgjedhjet lokale të vitit 2009 vetëm sa kanë përkeqësuar situatën dhe kanë inkurajuar manipuluesit e zgjedhjeve që manipulimet vetëm t’i shtojnë në masë dhe brutalitet. Të dielen, më 12 dhjetor, u arrit kulmi i absurditetit, kur në disa zona u raportua për pjesëmarrje prej mbi 90% në zgjedhje. Poashtu kishte raportime për presione në qendrat e votimit, përndjekje të vëzhguesëve të partive më të vogëla dhe thyerje serioze të të heshtjes parazgjedhore. Një rrjet i pavarur për vëzhgimin e zgjedhjeve duhet të raportojë për tërësinë e procesit. Kjo nuk ka ndodhur në këto zgjedhje, kjo nuk ka ndodhur as në zgjedhjet e vitit 2009.
shko