Boksieri kosovar i kategorisë së rëndë, Luan Krasniqi do të kthehet në ring më 26 shkurt. Ai në Ludwigsburg të Gjermanisë do të përballet me amerikanin Johnathon Banks. Këtë e ka konfirmuar vetë boksieri junikas në sajtin e tij zyrtar. Për Krasniqin kjo do të jetë lufta e parë pas më shumë se dy vitesh pauzë. Krasniqi së fundi boksoi më 15 nëntor të vitit 2008, kur pësoi me nokaut në raundin e tretë nga ukrainasi Alexander Dimitrenko.
"Unë kam stërvitur vazhdimisht, por para katër javësh kam nisur stërvitjet intesive. Shumë njerëz më kanë hequr nga lista, por do të shohim në shkurt se a kanë gabuar", ka thënë Krasniqi.
Dueli mes Krasniqit dhe Banksit do të transmetohet nga televizioni gjerman RTL. Krasniqi 39-vjeçar në rast të fitores ndaj Banksit, do të ketë mundësinë që të sfidojë njërin nga vëllezërit Klitschko, Vitalyn apo Vladimirin. Vitaly është kampion i botës në versionin WBC, ndërsa Vladimiri kampion në versionet IBF, WBO dhe IBO.
"Momentalisht nuk po mendoj për Vitalyn e Vladimirin. Së pari në listë e kam Johnathon Banksin. Do të jetë detyrë e vështirë. Banks është i shtati në renditjen e WBC-së dhe i teti në atë të IBF-së.
Nëse e mposht atë do t'i afrohem realizimit të ëndrrës, luftës për titull bote me njërin nga vëllezërit Klitschko", ka shtuar Krasniqi.
Krasniqi në ringun profesionist ka zhvilluar 35 meçe. Ka 30 fitore (14 KO), 4 humbje dhe 1 barazim. Krasniqi në pesë meçet e fundit ka pësuar tri disfata. Ai më 28 shtator të vitit 2005 kishte sfiduar titullin e botës në versionin WBO, por u mposht me nokaut teknik në raundin e nëntë nga amerikani Lamon Brewster.
Kundërshtari i Krasniqit, Banks, është 28-vjeçar. Ai në ringun profesionist ka bilanc prej 25 fitoresh (17 KO), 1 humbje dhe 1 barazim. Banks në shkurt të vitit 2009 ishte mposhtur nga polaku Tomasz Adamek me nokaut teknik në raundin e tetë, në duel për titullin e botës në kategorinë kruzer në versionin IBF.
"Banksi është kundërshtar i vështirë, por jo i pakalueshëm. Po të ishte i pakalueshëm do të isha i çmendur të kthehesha në ring. Banks është një detyrë që mund të zgjidhet dhe jam i sigurt se do ta zgjedh. Unë jam i lumtur që po kthehem në ring. Jam i lumtur për mundësinë që më është dhënë. Unë do të jap më të mirën që mos ta zhgënjej askënd", ka thënë Krasniqi.
Krasniqi aktualisht është pa kompani promovuese, pasi kontrata e tij me Universumin i ka skaduar. Junikasi është përcaktuar edhe për trajnerin që do ta përgatisë për meçin me Banksin.
"Trajner do ta kem Hans-Juergen Wittenin. Me të kam fituar në Liverpool në vitin 1994 turneun tim të parë si amator", ka thënë Krasniqi.
Ndërkohë, amerikani Banks ka vlerësuar se ka gjasa të mëdha për ta mposhtur Krasniqin.
"Në vitet e fundit kam punuar shumë dhe dua që më në fund të jem kampion bote. Do ta kaloj edhe këtë pengesë, do ta mposht Kransiqin. Më pas do të trokas në dyer të Klitschkove dhe do të sjell titujt e botës të peshës së rëndë në SHBA", ka thënë Banks.