e hënë, 20 dhjetor 2010

Në Drenicë, u dëmtua PDK

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi po përpiqet t’i harrojë sa më shpejt zgjedhjet e 12 dhjetorit. Rivotimi parcial për të cilin vendosi KQZ-ja, nuk ia ka prishur disponimin. Ai është i bindur se do të dalë sërish fitues më 9 janar, në komunat ku pati më së shumti keqpërdorime të votës.
Lideri i PDK-së, në një intervistë për Express, thotë se aktualisht po merret vetëm me krijimin e Qeverisë së re. Pohon se puna e madhe ka përfunduar dhe lë të kuptojë se në fund të janarit do të miratohet Qeveria e re.

I pyetur se a ka pasur ndonjë plan partia e tij, PDK, për t’i manipuluar votat në Skenderaj, Drenas dhe Deçan, me qëllim të rritjes së saj në nivel nacional, kryeministri Thaçi përgjigjet kategorikisht kundër këtij vlerësimi.

“Unë e vlerësoj lart organizimin e zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Standardet më të larta ndërkombëtare u arritën. Ashtu edhe u vlerësuan nga vëzhguesit e ENEMO’s, nga Shtetet e Bashkuara, nga Baronesha Ashton dhe z. Fule. Problematikat e izoluara nuk mund ta prishin hijeshinë e këtyre zgjedhjeve. Mund të them se vendimet e KQZ-së janë të drejta për të respektuar vullnetin e lirë të qytetarëve. Por, nëse dikush është dëmtuar në këto dy komuna, ajo është Partia Demokratike e Kosovës dhe elektorati ynë. Mund të them se kemi të bëjmë me një prapavijë të qartë politike - të koordinuar dhe të planifikuara nga i gjithë spektri politik kosovar, një plan ky për t’i goditur bastionet e PDK-së”, është shprehur Thaçi, duke shtuar se numri i votuesve të PDK-së në Drenas dhe Skenderaj gjithmonë ka qenë konstant, me fitore bindëse, të thellë, por ka qenë një veprim i menduar dhe i koordinuar i spektrit politik kosovar.

Ai shprehet i bindur se në rivotimin që do të mbahet më 9 janar të vitit të ardhshëm në disa komuna, elektorati i PDK-së do të del në numër edhe më të madh. “Më 9 janar, votuesit e PDK-së do të dalin edhe më masovikisht”, shprehet Thaçi.

Kryeministri Thaçi, i pyetur se a mendon se është keqkuptuar kur u ka bërë thirrje në Skenderaj që të dalin pasivisht në zgjedhje, thotë se ai nuk i ka bërë thirrje vetëm elektoratit të PDK-së, por të gjithë qytetarëve, pa dallime partiake. “Unë u kam bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të dalin në zgjedhje. Prandaj, unë i përgëzoj të gjithë votuesit e të gjitha partive politike që dolën në zgjedhje. Thirrjet e mia u janë dedikuar të gjithë qytetarëve, pa dallime partiake”, është shprehur Thaçi.

Megjithë kritikat negative që vendi jonë ka marrë nga vëzhguesit ndërkombëtar për organizimin e zgjedhjeve të mira, kryeministri Thaçi shprehet se zgjedhjet e 12 dhjetorit, megjithatë, ishin zgjedhje të mira.

“Këto zgjedhje janë vlerësuar lart nga të gjitha autoritetet ndërkombëtare. E ritheksoj se ndonjë veprim i izoluar nuk mund të ndikojë në madhështinë e këtyre zgjedhjeve. Ne duhet t’u besojmë institucioneve të pavarura të cilat kanë vendosur t’i çojnë në rivotim tri komuna”, thotë Thaçi, duke shtuar se e gjithë bota e ka vlerësuar shumë lart këtë proces. “Por unë dua të them se aty ku ka pasur keqpërdorime, nuk do të lejohet të tjetërsohet vullneti i qytetarëve të vendit. Do të jemi të pakompromis ndaj gjithë atyre që kanë bërë keqpërdorime. Unë kam qenë lideri i parë që kam kërkuar nga KQZ-ja dhe PZAP-i që të shqyrtojë me vendosmërinë më të lartë procesin zgjedhor”, shprehet Thaçi.

Thaçi është shprehur skeptik, megjithëse ka thënë se mund të ketë ndonjë zhgënjim, për sa i përket vjedhjeve përbrenda partive, gjë e cila është përfolur shumë gjatë ditëve të fundit, dhe pikërisht nga anëtarë të PDK-së. “Unë i besoj plotësisht vullnetit qytetar. Por dua të them se mund të ketë ndonjë zhgënjim, ndonjë pakënaqësi të njerëzve që nuk kanë fituar. Është e drejtë e secili, edhe atyre brenda partive, që t’u drejtohen organeve kompetente kushtetuese dhe ligjore”, ka theksuar kryeministri Thaçi në një intervistë dhënë të përditshmes “Express”./yp
shko