e hënë, 20 dhjetor 2010

Dick Marty: Kam fakte, le të hetohen.

Anëtari i Dhomës së Ulët të Parlamentit të Zvicrës, Dik Mati këmbëngul se ai disponon fakte dhe kërkon hetimin e tyre menjëherë. 
“Unë s’e gjykoj askënd, por as nuk e amnistoj. Unë kam mbledhur fakte dhe kam konstatuar se kurrë nuk ka pasur një hetim të mirëfilltë. Por, unë nuk e paragjykoj epilogun e një hetimi të tillë”, u shpreh anëtari i Dhomës së Ulët të Parlamentit të Zvicrës, Dik Marti, në një intervistë dhënë gazetës zvicerane ‘NZZ am Sonntag“, të cilën e ka publikua sot “Koha Ditore”

Sipas Martit, qëllimi i tij është i mirë dhe se në asnjë rast nuk vepron kundër Kosovës. 
“Nuk mund të ndërtohet e ardhmja e Kosovës pa u ballafaquar me të kaluarën. Me këtë raport unë veproj, jo kundër Kosovës, por për Kosovën – dhe, mbi të gjitha, për ata kosovarë, të cilët, më në fund, duan të jetojnë në një shtet juridik”, u shpreh Marti, duke iu përgjigjur kështu kritikave ndaj raportit të tij mbi krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

I pyetur fillimisht nëse mund të lëvizte i lirë pas prezantimit të raportit mbi krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), derisa po udhëtonte në kantonin e Tiçinos, Dik Marti u përgjigj: “ “Mendoj se po”. Ai as e pohoi, as e kundërshtoi se udhëton i pashoqëruar nga policia.”Ju siguroj se tani jam duke udhëtuar vetëm me një koleg të Parlamentit”, tha ai. 

Marty shtoi se nuk e priste një jehonë të tillë të raportit të tij “Jo në këtë përmasë. Carla del Ponte, ish-kryeprokurore e Tribunalit të Krimeve të Luftës në Hagë, por edhe gazetarët më parë kanë tërhequr vëmendjen te këto krime. Por, raporti im ndoshta është më gjithëpërfshirës dhe më i detajuar”. Ndërkaq rreth akuzave ndaj ish-komandantit të UÇK-së dhe kryeministrit actual, Hashim Thaçi për këto krime, tha se emri i tij përmendet në aq shumë raporte të shërbimeve sekrete dhe policore, prandaj ka qenë e pamundshme që ai të injorohet. Por, ka mohuar që emri i tij apostrofohet si pjesëmarrës në krime. “Unë askund nuk shkruaj se ai personalisht ka qenë pjesëmarrës.” 


Në pyetjen se pse e publikoi raportin tek pas zgjedhjeve, u përgjigj gjoja pse “ Nuk kemi dashur të ndikonim (në zgjedhje, v.j.)”. Sipas tij ndërkaq “në strukturat hierarkike të krimit të organizuar nuk bëhet gjë pa e ditur shefi”. 
Marti në intervistën dhënë kësaj gazete zvicerane përpiqet të duket i paanshëm, parimor. Reagimin e qeverisë ndaj akuzave të tij ai e konsideron gjë normale. “Por, ne jemi konsultuar me ekspertë të tregtisë me organe. Kjo nuk është aq e komplikuar”, shpreh ai. Po ashtu shton se “E gjithë kjo s’ka ndodhur në Kosovë, por në një lokalitet në Shqipëri, afër Tiranës dhe aeroportit. Të transportosh atje një veshkë dhe ta futësh në një frigorifer është më pak e komplikuar se ç’po thuhet.” 


Në vërejtjen se, mungojnë dëshmitë për akuzat që bën, ai përgjigjet se kështu është thënë edhe kur e ka publikuar raportin për burgjet sekrete të CIA-s. “ Nuk më takon mua të them a është diçka dëshmi apo jo. Unë kam pasur mandat nga Këshilli i Evropës t’i hetoja ato që i ka thënë Del Ponte. Në bazë të shumë burimeve – mes të tjerash raporte të shërbimeve sekrete të vendeve të ndryshme dhe deklarata të dëshmitarëve, kryesisht kosovarë – unë kam mbledhur fakte. Unë përmend vende, data, emra. Tani kjo duhet të hetohet nga një instancë juridike”. 


Sipas tij një problem fondamental ka qenë që NATO-ja në atë kohë, luftën në tokë ia kishte lënë UÇK-së, e cila më parë ishte klasifikuar si grup terrorist. NATO-ja, dhe veçanërisht SHBA-ja, pastaj vendosën të mbështesin Thaçin për të formësuar të ardhmen e Kosovës. 
Marti nuk ngurron ta konsiderojë përgjegjëse për ato që kanë ndodhur në Kosovë. Përgjegjëse është “Gjithë bashkësia ndërkombëtare. Do të kishte mjaftuar sikur Evropa të kishte thënë jo”, thotë ai. 


Marty pohon se madje gjatë një kohe të caktuar Zvicra me sa duket kishte vendosur një ndalimhyrje për Thaçin. 
Pohimin në gazetën „Le Temps“në vitin 2008 se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Zvicra ka qenë e hershme, Marti nuk e vë në dyshim. “Po. Por, është tërësisht e padobishme dhe absurde, që sot të vihet në dyshim kjo njohje”, shton. 
Ndërkaq në pyetjen nëse është rastësi që pikërisht ai dhe Del Ponte – dy prokurorë të Tiçinos, caktohen në këtë çështje, Marti u përgjigj: “Besoj se ne ndajmë një kulturë të ngjashme, vlera të njëjta”./bw
shko