e hënë, 20 dhjetor 2010

PDK s’e lëshon kryeministrinë

Partia Demokratike e Kosovës, e cila në bazë të rezultateve preliminare është fituese e zgjedhjeve, shpreson se do të lidhë një koalicion qeverisës, i cili do të sigurojë të paktën 75 vota në Parlament. Përderisa është në kërkim të partnerëve me të cilët do të qeveriste mandatin e ardhshëm, PDK-ja e përjashton çdo mundësi që të bëjë kompromise në lidhje me postin e kryeministrit, të cilin thotë se elektorati ia ka besuar liderit të saj, Hashim Thaçit.
Zyrtari i kësaj partie politike, Memli Krasniqi, thotë se negociatat konkrete për qeverinë e re do të nisin pas rivotimeve të pjesshme të 9 janarit dhe pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

“PDK-ja, bashkë me partnerët, jo vetëm se do të ketë shumicën e nevojshme, por do të ketë një shumicë stabile me së paku rreth 75 vota në Kuvend. Por, për sa u përket detajeve të marrëveshjes për qeverisje, do t’i bëjmë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve”, thotë Krasniqi.

Takimi i së shtunës së kaluar ndërmjet Thaçit dhe Pacollit ka qenë spontan dhe nuk bëhet fjalë për asnjë marrëveshje për koalicion, thotë nënkryetarja e AKR-së, Mimoza Kusari Lila. Në çdo rast, ajo preferon që AKR-ja, përkatësisht kryetari i saj Behxhet Pacolli ta marrë nën udhëheqje postin e presidentit të Kosovës.

Përderisa AKR-ja mbetet e lidhur për postin e presidentit, Memli Krasniqi e mohon çdo mundësi që PDK-ja të lëshojë postin e kryeministrit. Ai thotë se ky post është i liderit të saj, Hashim Thaçit.

“Në postin e kryeministrit absolutisht jo - për atë post ka vendosur qytetari i Kosovës. Thaçi ka qenë kandidat për kryeministër, ai e ka marrë besimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, është lideri më i besueshëm dhe më i votuar në vend. Normalisht se ai, këtë përgjegjësi, siç e ka kryer në mandatin e kaluar, do ta kryejë edhe në mandatin e ardhshëm”, thekson Krasniqi.

Ndërkohë, Mimoza Kusari Lila thotë se AKR-ja nuk ka preferenca nëse do të shkojë në koalicion me partinë e parë apo të dytën, por me rëndësi, sipas saj, është që të formohet një qeveri funksionale dhe e bazuar në koncept të përafërt programor.

Në rast se partia e parë do të dështojë të formojë qeverinë, sipas Kushtetutës, nismën më pas e merr partia e dytë, që në këtë rast është Lidhja Demokratike e Isa Mustafës.

Koalicionit me PDK-në tashmë i janë përgjigjur negativisht LDK-ja dhe AAK-ja.

Komplikimet për gjetjen e formulës qeverisëse i shton edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila tashmë i ka vënë vijën e kuqe si PDK-së, ashtu edhe LDK-së e AAK-së.

Glauk Konjufca, nga Vetëvendosja, thotë se me asnjërën prej këtyre tri partive politike nuk do të lidhet koalicion.

“Me këto parti politike nuk bëjmë koalicione, prandaj nuk do të ketë bisedime me to. Mendojmë po ashtu se ky ka qenë edhe qëllimi i manipulimit të zgjedhjeve, pra që të mbeten këta akterë politikë, që pushteti i ardhshëm të jetë si ka qenë edhe deri më tash, për shkak të pazarllëqeve politike që duan t’i kryejnë me Serbinë dhe me privatizimin e Kosovës... Prandaj, ne edhe e kundërshtojmë këtë rezultat të zgjedhjeve”, thotë Konjufca.

Sidoqoftë, aktualisht ka bisedime ndërmjet PDK-së, AKR-së dhe pakicave. Por, dilemat e PDK-së shtohen kur dihet se për formimin e qeverisë nevojiten të paktën 61 vota.

Se a do ta mbërrijë këtë kufi minimal, PDK-ja do ta mësojë pas 9 janarit, kur do të mbyllen rivotimet e pjesshme dhe kur do të bëhet ndarja e saktë e ulëseve në Kuvend për secilën parti politike që ka kaluar pragun e nevojshëm./yp
shko