e mërkurë, 22 dhjetor 2010

Kushtetuta e Kosovës më e përparuar në botë

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Tom Kantrimen tha se SHBA-të shpresojnë se
një dialog i lehtësuar nga Bashkimi Evropian do të fillojë mes Kosovës dhe Serbisë sa më shpejt që të jetë e mundur në vitin që vjen.
"Ajo që ne shpresojmë nga të dyja palët është që ato të tregohen praktike dhe krijuese. Qëllimi i dialogut është të zgjidhen çështjet e përditshme që e pengojnë popullin e Kosovës të bëjë një jetë normale. Është e nevojshme të bëhen përpjekje dhe të gjendet një mënyrë që qeveritë të punojnë së bashku në mënyrë që Kosova të jetë një shtet i suksesshëm, i njohur nga bashkësia ndërkombëtare me integritet të plotë tokësor e me sovranitet të plotë, dhe që, të gjitha garancitë e kushtetutës së saj që është kushtetuta më e përparuar në botë në kuptimin e të drejtave që u jep grupeve jo shumicë - pra, që kjo kushtetutë të zbatohet plotësisht. Kjo është një pikë e rëndësishme diskutimi mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne presim që ata të hyjnë në bisedime me vullnet të mirë dhe me një qëndrim praktik", theksoi Kantrimen në një intervistë për "Zërin e Amerikës".

Ndërkaq duke folur për zgjedhjet parlamentare në Kosovë Kantrimen tha se kishte qenë vetë në Kosovë për zgjedhjet dhe i ka parë votimet si në zonat me shumicë shqiptare ashtu edhe në zonat ku serbët janë shumicë, në Graçanicë dhe të tjera.

"Ajo që pashë unë dhe vëzhguesit e shumtë ndërkombëtarë, ishte se këto qenë zgjedhjet më të organizuara të mbajtura ndonjëherë në Kosovë. Megjithatë, pati probleme serioze gjatë votimeve në komuna të veçanta ku nuk u respektuan rregullat. Si rrjedhojë, më 9 janar në këto komuna do të ketë rivotim. Për fat të keq, në veriun e Kosovës, qytetarët nuk u lejuan të vendosnin lirisht nëse do të merrnin pjesë apo jo. Në pjesën më të madhe të Kosovës, serbët dhe grupet e tjera etnike nuk u penguan aspak të merrnin pjesë. Vetëm në veri të Kosovës, disa grupe të caktuara politike përdorën dhunën ose kërcënimin për dhunë për të mos lejuar serbët të shkonin e të votonin. Kjo është për të ardhur keq dhe për fat të keq Beogradi nuk bëri sa duhet për të shprehur kundërshtim ndaj taktikave të tilla të dhunës"./yp
shko