Intervista e botuar në Kohën Ditore të shtunën dhe të dielën, e ambasadorit të SHBA-së në
Prishtinë, i ka “heshtur” zyrtarët e lartë të PDK-së, me deklaratën e tij se në Qeveri të re të Kosovës duhet të hyjnë njerëz kredibilë dhe me “duar të pastra”.
I vetmi Rrustem Mustafa ka pranuar të shtunën t’u përgjigjet thirrjeve të Kohës Ditore, ndonëse as ai nuk ka dashur të komentonte asgjë nga deklarata e ambasadorit.
“Dua të rezervohem nga komentimet në këtë kohë, sepse më 25 të këtij muaji e kam një seancë gjyqësore”, ka thënë Mustafa, përmes një bisede të shkurtër telefonike. Edhe më shkurt ka folur për të kaluarën e tij. “S’kam bërë kurrë asgjë të keqe”, është shprehur ai.
Mustafa, si njëri nga nënkryetarët e PDK-së, më herët ka qenë i dënuar me katër vjet burgim, nën akuzën se ka kryer krime lufte. Bashkë me të, në kuadër të të ashtuquajturit “Grupi i Llapit”, ishte dënuar edhe Latif Gashi, me gjashtë vjet burgim. Të dy tash janë në listën e kandidatëve të PDK-së që kanë fituar numër të mjaftueshëm të votave për t’u bërë deputetë të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës.
Por, nëse i nominuari i PDK-së për kryeministër, Hashim Thaçi, mandatohet për krijimin e Qeverisë dhe vendos ta dëgjojë këshillën e ambasadorit Dell, as njëri e as tjetri nuk do kenë mundësi që të kenë poste ministrore.
Respektimi i këshillës së ambasadorit amerikan do ta linte jashtë ekzekutivit edhe njërin nga ministrat, me të cilët është mburrur PDK-ja gjatë fushatës së fundit zgjedhore - Fatmir Limajn. Ministri në largim i Postë-Telekomunikacionit e ka një problem tjetër - është bastisur nga EULEX-i dhe tash është nën hetime. Të tillët Delli nuk ka dëshirë t’i shohë në Qeveri së paku derisa të kryhen hetimet ndaj tyre. /Telegrafi