e mërkurë, 19 janar 2011

Mourinho e çart Florentino Perezin

Florentino Perez, presidenti i Realit të Madridit, po humbet durimin me ankesat e vazhdueshme të trajnerit  Jose Mourinho rreth nevojës që ka skuadra për afrimin e një
sulmuesi të ri. Njëshi i klubit “merengue” fajëson trajnerin për hapin fals të së dielës, ku barazimi 1-1 me Almerian bëri që diferenca nga Barcelona kryesuese të rritej me 4 pikë.
Ai këmbëngul se tekniku luzitan ka krijuar një problem të panevojshëm, duke folur vazhdimisht për mungesën e alternativave që ka në repartin sulmues. Për të përditshmen “AS”, një person i afërt me Perez deklaroi: “Problemi është se trajneri ka ngritur një çështje, kur në fakt ajo nuk ekziston. Në fund, që të shijojmë duelin për titull me Barçën dhe fitoren me Atleticon e Madridit në Kupën e Mbretit, e kemi pasur mendjen vetëm te vetëshkatërrimi. Është çmenduri të përhapësh një debat kaq të madh për një sulmues i cili do të luajë me skuadrën vetëm për gjashtë muaj. Kjo ka krijuar tension dhe një situatë të pakëndshme, që janë absurde”.
Duke folur rreth mundësisë për të rikthyer në “Santiago Bernabeu” holandezin Rud van Nistelroy, burimi pranë krerëve të klubit shtoi: “Për momentin, blerja e Van Nistelroyt është mjaft e vështirë. Nëse Hamburgu nuk ndryshon qëndrimin që ka, atëherë do të tërhiqemi. Ne e falënderojmë Rudin për përpjekjet e tij, por Reali nuk mund të paguajë lek për një lojtar që gjatë vitit të kaluar u largua me parametër zero nga klubi drejt Gjermanisë”. Holandezi, që tashmë është 34 vjeç, ka shënuar 46 gola në 68 ndeshje të La Ligas për “merengues”, përpara se të largohej drejt Bundesligës një vit më parë. Ai cilësohet si zgjidhja më e mirë afatshkurtër. Alternativa janë edhe Klose e Adebayor, ndërsa së fundmi është përfolur edhe për një ofertë 40 milionë euro për sulmuesin e Manchester Cityt, Karlos Tevez.
Edhe pse drejtuesit madrilenë janë mërzitur me “presionin” e vazhdueshëm që Mourinho ka krijuar për të investuar në merkato, drejtuesi i stolit gëzon mbështetjen e skuadrës. Në fakt, edhe Cristiano Ronaldo ka bërë thirrje se Reali ka nevojë për përforcime në repartin ofensiv, në mënyrë që skuadra të vazhdojë luftën për titull.
“Na nevojitet një sulmues për gjashtë muaj, - deklaroi ylli portugez rreth boshllëkut që është krijuar prej dëmtimit të argjentinasit Gonzalo Higuain. - Janë përfolur emrat e shumë lojtarëve të mëdhenj, siç është Van Nistelroy, dhe kjo më gëzon. Sa më shumë futbollistë të jenë të gatshëm që të ndihmojnë këtë skuadër të fitojë, aq më mirë është”, - nënvijëzoi Ronaldo, i cili ka realizuar 22 gola në gjysmën e parë të sezonit. “Objektivi im është që të fitoj sa më shumë tituj kampionë dhe trofe të Champions League me Realin. Klubi nuk mund t’ia lejojë më vetes që të mbyllë edhe një tjetër sezon pa trofe”. /indeksonline/
shko