e ndjek këtë program dhe që siç e dimë nuk është e pakët, por edhe nga të tjerë mbase pak më indiferentë ndaj këtij formati të cilët me siguri kanë pasur vëmendje ndaj tij për shkak të zakonit të shqiptarëve, që në ditët e festave të rrinë të gozhduar para ekranit. Por duket se kjo nuk është hera e parë që Kreshnik Luku ka vemendjen e një publiku të gjerë. Nëse sot ai pretendon të bëhet konkurrent zyrtar i këtij programi (gjë që do të vendoset sonte në darkë) e më pas të garojë për të fituar çmimin 100 milionë lekë, jo shumë kohë më parë ai u vu përballë organeve të drejtësisë për një ngjarje, që në atë kohë bëri jo pak bujë në media dhe ka lidhje përsëri me paratë.
Kreshniku bënte pjesë në grupin prej 17 vetash, të cilët arritën të bënin vjedhje spektakolare nëpër bankomate të disa bankave që operojnë në Shqipëri, duke arritur të vjedhin brenda një viti rreth 2 milionë euro. Duhet theksuar se Kreshniku ka punuar që në vitin 2002 në njërën nga degët e bankës amerikane dhe si i tillë kishte disa infromacione të brendshme, të cilat mund t’i kenë shërbyer më pas. Duke qenë një formë e re vjedhjeje me anë të disa kartave bankare të klonuara, nuk ka qenë e lehtë që ky krim financiar të identifikohej menjëherë nga prokuroria, forcat e policisë dhe Task Forca e Krimit Ekonomik, të cilët kanë bashkëpunuar ngushtë me specialistët e bankave, teksa këta të fundit vërenin se si “avullonin” paratë në mënyrë të mistershme. Puna e policisë nisi pas denoncimit të bërë nga “Banka Amerikane e Shqipërisë”, në dt. 30.11.2007 se në disa bankomate të kësaj banke është konstatuar bllokimi automatik i kartave plastike, të cilat kanë tentuar tërheqjen e parave të disa llogarive të depozituara në emër të personave të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj.
Menjëherë nisi veprimi i Policisë së Qarkut Tiranë, e cila në 20 ditët në vazhdim u pasurua me denoncime nga një sërë bankash të tjera si Raifeissen, ProCredit, Banka Tirana, Banka Tregtare etj. Policia e Tiranës punoi intensivisht për tetë muaj me radhë duke angazhuar 30 agjentë dhe oficerë të saj. Më në fund, policia arriti t’i vërë nën pranga falë operacionit të koduar “Matrix 4”. Duhet theksuar se ata u përballen për herë të parë me këtë lloj krimi të panjohur më parë për ne, i cili përbën një formë ende të re vjedhjeje, edhe për vende më të zhvilluara, arsye për të cilat u konsiderua si “krim i së ardhmes”. Pra, edhe pse mënyra e vjedhjes ishte e menduar gjatë dhe arriti të japë rezultat, përsëri Kreshniku dhe pjestarët e tjerë të grupit, kryesisht djem të rinj si ai, nuk ia dolën.
Djemtë u arrestuan në flagrancë me 3.7.2008 dhe 12 prej tyre ku bënte pjesë edhe Kreshniku, u mbajtën në paraburgim, ndërkohë që pesë të tjerë u vendos të gjykoheshin në gjendje të lirë. Kreshnik Luka, në atë kohë 23 vjeç, u dënua me dy vjet burg me akuzën për vjedhje pasurie në bashkëpunim, falsifikim me pasoja të rënda financiare, “vjedhje me anë të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit” në dëm të disa personave të tjerë. Dënimin ai e vuajti të plotë, paçka se në sallën e gjyqit kërkoi të prekë trupin gjykues, duke u thënë se nuk mund ta burgosnin pasi është jetim dhe ka në ngarkim vëllain e vogël.
Kreshniku arriti të lirohet nga burgu i sigurisë të zakonshme në Tiranë, me 13. 11. 2009, pasi kishte arritur të konsumonte dënimin po të kemi parasysh se ai ka ndenjur një vit në paraburgim dhe gjykata vërejti se, bazuar në nenin 7 të ligjit nr.7942, dt.31.05.1995 “Për hyrjen në fuqi të Kodit Penal”, një ditë paraburgim e vuajtur nga i pandehuri është e barabartë me një ditë e gjysmë burgim. Një vit pasi ka lënë pas qelinë e burgut ku ndenji rreth 16 muaj, Kreshniku po provon një lloj tjetër izolimi, kësaj here natyrisht më të këndshëm, por përsëri arsyeja që e shtyn ta bëjë është e njëjtë, për shkak të parave. Meqenëse nuk arriti të përfitojë me anë të vjedhjes, a thua mund t’i eci me “Big Brother”?/yp