e enjte, 24 shkurt 2011

Riza Lushta, jeta e shqiptari që hyri në historinë e Juventusit

Website “tuttojuve.com” që është webi më popullor për tifozët bardhezinj, dhe mjaft i afërt si me tifozët, por edhe me ultrasit në rubrikën e përjavshme “Heronjtë bardhezinj” këtë javë ia ka kushtuar futbollistit shqiptare, Riza Lushta.
Të shkruash historinë e një prej klubeve më të njohura në Europë është një arritje shumë e madhe për çdo futbollist. Të gjithë ëndërrojnë të jenë idhuj në zemrat e tifozëve të skuadrës. Secili do të ketë emrin e tij të gdhendur në historinë e klubit ku ka dhënë shumë nga vetja. Duke qenë se Lushta për Juven është një ndër legjendat e saj, Websiti ka publikuar edhe një intervistë të rrallë të Lushtës ku ai tregon jetën e tij dhe eksperiencën e rrallë tek Juventusi. Gazeta më poshtë publikon të plotë materialin për Lushtën. 

Në sezonin e fundit të Gabbettos tek Juventusi, erdhi në Torino një shqiptar mjaft i zoti, por edhe mjaft simpatik: Riza Lushta. Nuk ishte një qendër sulmues, por një mesfushor krahu që shënonte shumë gola. Ambientimi i shqiptarit tek Juvja ishte shumë i shpejtë dhe i bukur; ai debutoi me Juven në moshën 22 vjeçare, dhe ishte një lojtar që mund të bënte më shumë se dy role në fushë, dhe kishte një fizik të fuqishëm dhe ishte një atlet i zoti, gjithmonë në shërbim të skuadrës. Ai nuk pati probleme më përshtatjen ndaj skuadrës, siç kanë disa futbollistë në fillim, kur shkojnë në një ekip të madh. Ai u përshtat mjaft mirë me taktikat e reja të Juves dhe shumë rrallë u dëmtuar. Ja se çka thënë ai në një intervistë

“Unë kam lindur në Mitrovicë, që kur isha fëmijë, prindërit e mi më morën në Tiranë, dhe këtu jo vetëm u rrita, por nisi edhe fati i mirë. Në Tiranë deri në klasën e katërt ndiqja shkollën për bujqësi, por pasioni im për futbollin ishte më i madh se gjithçka tjetër, kështu që shkova tek ekipi “Sport Club”, ku pata fatin të gjeja një trajner të mirë të shkollës hungareze”.

Lushta diti të shkrihej me ambientin instiktivisht dhe diti, mbi të gjitha, të konservonte personalitetin e tij natyral, atë të goleadorëve të mëdhenj. Luajti vetëm tre sezone të bardhezinjtë, por fitoi simpatinë e pakufishme dhe të pakushtëzuar të tifozëve. Ishte baraz, si lojtar klasi, me të tjerë shokë të repartit, që quheshin Bo, Borel II, Gabetto e Colaussi.  Në sezonin e tij të parë, Lushta realizoi vetëm nëntë gola, por në sezonin 1941-1942 do të shënonte plot 16 gola dhe në atë pasardhës do të realizonte 17, mes të tjerash, duke pasur nderin të luajë përkrah dy kampionëve të mëdhenj, si Borel e Meazza.

“Sezoni i 1941/42 ishte shumë pozitiv për mua”-, ka deklaruar Lushta, duke theksuar më tej se “edhe pse përfunduam në vendin e gjashtë, por me 16 golat e shënuar, duke u bërë kështu golashënuesi numër një bardhezi, më pas shënova 17 gola të tjerë”, ka deklaruar ai në atë kohë për revistën “Sentimenti III°”. “Si erdha tek Juvja?. Ishte diçka e bukur. Erdha tek Juvja rastësisht. Unë isha në Bari, dhe në maj të vitit 1940, u ndeshëm me Juventusin, duke e mundur 2 me 1, me një golin tim. Atë ditë në tribunë ishte Borel (i mbiqujtar “Flutura”. Ai më ndoqi me vëmendje, duke pyetur edhe se sa paguhesha. Edhe Venezia me Fiorentinën më kërkonin, por presidenti i asaj kohe konti De La Forest këmbënguli shumë për mua”

Djaloshi simpatik shqiptar fitoi me Juventusin Kupën e Italisë në vitin 1942, duke qenë edhe shënues dhe hero në finale kundër Milanit. Kuezinjtë u mundën 4 me 1, dhe Lushta realizoi tre gola spektakolar. “Ah çfarë dite! Shënova tre herë unë. Më pas shënoi “Ciçio” Sentimenti me penallti. Pastaj nuk kishim ç’të vuanim më. Lozja në krah, dhe nuk limitohesha të vrapoja kudo dhe të merrja topin. Jam krenar që luajta përkrah legjendave si Meazza, Borel, Locatelli, etj. Dhe mbi të gjitha me Gabetton dhe Colaussin. Me atë mbrotje që kish pas krahëve, ishte e natyrshme të shënoim aq shumë të gjithë në sulm, Parola ishte i jashtëzakonshëm”, kështu e mbyll intervistën Lushta. 

Rizai luajti 95 takime me fanellën bardhezi, duke shënuar 55 gola. Ishte viti 1940 kur Riza Lushta u thirr për stërvitje nga Kombëtarja Italiane, asokohe dy herë Kampione e Botës.

Kryeziu, Lushta, Boriçi e Llambi

Nga Giovanni Armillotta

Naim Kryeziu dhe Riza Lushta kanë qenë, padyshim, futbollistët shqiptarë më të mëdhenj nga mesi i viteve Tridhjetë deri në gjysmën e dytë të viteve Dyzet. Ata bënë emër jo vetëm me titullin e Kampionit të Italisë fituar nga Kryeziu me Romën më 14 qershor 1942, apo me Kupën e Italisë (28 qershor 1942) fituar nga Lushta, i vetëm kundër Milanos (kështu quhej atëherë) falë tre golave të tij në përsëritjen e ndeshjes në Torino (4-1) pas rezultatit 1-1 të ndeshjes me gjithë shtesat në Milano, shtatë ditë më parë. Renditja më e mirë në Serien A ka qenë në edicionin 1942-43 kur arriti i treti me Juventusin. Duhet kujtuar që në nëntor të vitit 1940, Lushta u thirr për stërvitje edhe nga Kombëtarja italiane, asokohe dy herë kampione e botës, për ndeshjen miqësore kundër Hungarisë të 1 dhjetorit (1-1); por Vittorio Pozzo mori urdhër të mos e rreshtonte mes të thirrurve për arsye politike, duke qenë se Shqipëria ishte një vend në Bashkim Personal me Italinë në luftë. Në vitin 1946 Ludovik 'Vik' Jakova, zëvendëstrajner i Kombëtares shqiptare të futbollit në krijim e sipër, erdhi dy herë në Itali për të bindur Kryeziun dhe Lushtën të luanin në edicionin e VIII të Kampionatit Ballkanik. Për detyrime kontraktuale me Romën e Napolin dy lojtarët nuk mundën të pranonin, megjithatë Kombëtarja shqiptare e fitoi manifestimin e parë europian mes Kombëtareve të pasluftës. Dy shqiptarët kanë qenë në fushë deri në vitin 1954. Lushta fitoi kreun e renditjes së golashënuesve të Kupës së Italisë 1941-42 me tetë gola (shënoi edhe një tjetër gol për Juventusin në Kupën e Italisë 1942-43); po në vitin 1942 u rendit i katërti ndër golashënuesit më të mirë dhe i pari ndër të huajt. Kam zbuluar që Lushta ka shënuar edhe 5 gola të tjerë në po aq ndeshje gjatë Kampionatit të luftës, 1944, gola që janë njësoj të vlefshëm për statistikat e Juventusit (shiko: http://www.juventusstory.it/). Lushta me Juventusin ka shënuar, gjithsej, 56 gola në 95 ndeshje: 42 në Serien A, 5 në turneun e luftës dhe 9 në Kupën e Italisë. Mesatarja e lartë e shënimit, (0,589 gola për ndeshje) e rendit atë në vend të tretë mes gjithë sulmuesve të huaj të Juventusit që kanë shënuar më shumë se 50 gola, dhe në vend të katërt në renditjen absolute (shih tabelën) Emrin e Lushtës mban sot stadiumi i Mitrovicës. Ndërsa Kryeziu u bë trajner profesionist i kategorisë së parë: zëvendëstrajner i Romës nga viti 1962 deri më 1965 dhe titullar për gjashtë muaj në edicionin 1963-64, para se të mbërrinte spanjolli Luis Mirò; periudhë e mjaftueshme që Kryeziu të përgatiste skuadrën që do të fitonte Kupën e Italisë. Sot Kryeziu është në Panteonin e lojtarëve më të famshëm të Romës. Emrin e tij mban sot stadiumi i Gjakovës. Shqiptari i tretë i atyre viteve ka qenë i madhi Loro Boriçi, shok skuadre i lacialit Silvio Piola, kampion bote. Në vitin 1946 Boriçi ishte kapiteni i Shqipërisë që fitoi Kampionatin Ballkanik. Kombëtarja drejtohej nga trajneri Ljubisa Brocic, i cili në 1957-58 fitoi Serien A me Juventusin. Për Boriçin nuk po zgjatem pasi ai është i famshëm nga Roma deri në Pekin ku ka qenë edhe europiani i parë që ka drejtuar Kombëtaren kineze.

Rasti i çuditshëm" i Sllave Llambit
Sllave Llambi shpesh nuk përmendet si një nga futbollistët shqiptarë i Series A italiane, përpara Luftës II botërore. Duke konsultuar "Almanacco Illustrato del Calcio 2005" të Paninit të Modenas, në fakt, arrihet në përfundimin se Llambi nuk ka luajtur asnjë ndeshje as me Bolonjën e as me Interin. Kështu, gjatë atyre dy edicioneve ai ka qenë një rezerve që nuk ka luajtur as edhe një ndeshje. Por, kujdes! Megjithëse rezervë, ishte me Bolonjën në edicionin 1940-41, ndaj edhe ka qenë pikërisht ai, Sllave Llambi, - akoma më herët se Kryeziu - i pari shqiptar Kampion i Italisë!!! Meqë quhesh Kampion i Italisë edhe nëse nuk ke luajtur në asnjë ndeshje, mjafton të jesh i pranishëm ndër grupin e lojtarëve të skuadrës kampione. Por jo vetëm kaq! Ai që - sipas Bimo Fakjes - "ka qenë centërhalfi më i mirë i Shqipërisë, e përkthyer në të sotmen, do të thotë mesfushori mbrojtës më universal", luajti me skuadrën Fanfulla të Lodit në Kupën e Italisë 1942-43 kupë e hapur ndaj të gjitha skuadravetë Series A dhe B (më 13 shtator: Fanfulla-Savona 6-1 dhe 20 shtator '42: Triestina-Fanfulla 3-0). Për arsyet e mësipërme, në nder të madhështisë së tij dhe me lejen e mikut tim prej 20 vjetësh, Besnik Dizdarit, do të propozoja që Sllave Llambi - në 20- vjetorin e vdekjes së tij - të futet "in honoris post mortem titulo" në grupin e gjashtë lojtarëve shqiptarë që kanë luajtur në Serien A të Kampionatit Italian të futbollit.
Kur u kthye në atdhe, Llambi ka qenë një nga protagonistët e Kombëtares në Kampionatin e Ballkanit 1946. Pas tre vjetësh ka qenë, ndoshta, i pari lojtartrajner i një kombëtareje në botë; Shqipëria në Bukuresht (1-1), Varshavë (1-2) dhe Sofje (0-0).
Së fundi, në kujtim të përgatitjes së tij atletike të shumanshme dua të përmend edhe faktin që ai ka zënë vendin e gjashtë në Kërcimin së larti, me rekordin kombëtar 1,75 m në Kampionatet Ballkanike të Atletikës së Lehtë të viti 1938 në Beograd. Pas këtyre kampionëve, u desh të kalonin mëse 50 vjet që në Serie A të të vinin dy shqiptarë të tjerë: Erjon Bogdani dhe Igli Tare.

Riza Lushta
Riza Lushta (1916-97), lindur në Mitrovicë, sulmues; i ardhur në Serie A nga Sportklub  Tirana; Kampion i Shqipërisë në vitet 1934, 1936, 1937 dhe 1939; fitues i Kupës së Shqipërisë 1938-39. Debutimi në Serien A më 07/01/1940: Bari-Venezia 3-0 (java XIV)

Naim Kryeziu
Naim Kryeziu (1918), lindur në Gjakovë, sulmues; i ardhur nga Sportklub Tirana; Kampion i Shqipërisë në vitin 1939; fitues i Kupës së Shqipërisë 1938-39. Debutimi në Serien A më 10/03/1940: Roma-Bari 4-2 (java XXII, në skuadrën e Barit luante Lushta: ishte i pari "derby" shqiptar; Lushta shënon për Barin golin e barazimit 1-1 që ishte edhe goli i tij i parë)

Sllave Llambi
Sllave Llambi (1919-85), lindur në Tiranë, i lirë; vjen nga Sportklub Tirana; Kampion i Shqipërisë: me Tiranën në vitet 1937 dhe 1939; me Partizanin në vitet 1948 dhe 1949; Fitues i Kupës së Shqipërisë me Partizanin në vitet 1948 dhe 1949; fitues i Kampionatit VIII Ballkanik në vitin 1946. Debutimi në Kupën e Italisë Serie A/B më 13/09/1942: Fanfulla-Savona 6-1 (Turni I)

Loro Boriçi
Loro Boriçi (1922-84), lindur në Shkodër, qendërfushor; i ardhur nga Vllaznia Shkodër; Kampion i Shqipërisë: me Vllazninë në vitet 1940 dhe 1945; me Partizanin në vitet 1948 dhe 1949; Fitues i Kupës së Shqipërisë me Partizanin në vitet 1948 dhe 1949; fitues i Kampionatit VIII Ballkanik në vitin 1946 (kapiten)./topLajm
shko