Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se objektivi parësor i qeverisë së dytë të drejtuar prej tij do të jetë e ardhmja evropiane.“Mandati i dytë do të jetë mandati i Kosovës evropiane, reformave demokratike, zhvillimit të spektrit politik dhe institucional. Kemi një përkushtim maksimal të institucioneve, presidentit, kuvendit por edhe qeverisë dhe kam besim të plotë në suksesin e ri”, ka pohuar Thaçi.
Duke folur në një intervistë për VOA, Thaçi ka komentuar edhe kundërshtitë në radhët e partisë së tij për zgjedhjen e presidentit, duke i vlerësuar si diçka normale në një demokraci.“Demokracia është diçka që mund dhe duhet të ketë ballafaqim idesh dhe alternativash. Sot Kosova ka një qeveri të qëndrueshme, me vizion evropian, por edhe kundërshtime nga ana e opozitës, gjë që rrit vlerat e Kosovës”, është shprehur Thaçi.
Thaçi ka refuzuar të komentojë zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar atë si një çështje procedurale, por ka theksuar se institucionet e reja të Kosovës janë tërësisht legjitime. “Ato janë çështje procedurale të Kuvendit, por theksoj se institucionet kanë legjitimet të plotë qytetar dhe ligjor. Gjithçka që ka legjitimitet është e pranueshme edhe për qytetarët e Kosovës, si dhe Uashingtonin e Brukselin”, ka nënvizuar Thaçi.
Më tej kryeministri ka shtuar se prioritete të tjera do të jenë vendosja e ligjit dhe konsolidimi i institucioneve, ndërkohë që ka rikonfirmuar qëndrimin se veriu është pjesë e pandashme e Kosovës.