Dhe, pasi delegatët në Kuvendin e së martës, nuk arritën të ndryshojnë statutin e Federatës, nga data 1 prill pritet të hyjë në fuqi suspendimi i paralajmëruar nga FIFA dhe UEFA ditë më parë i përfaqësueses dhe ekipeve të këtij vendi nga garat ndërkombëtare.
Në bazë të statutit aktual të Federatës boshnjake, në krye të saj janë tre përfaqësueses të tri nacionaliteteve që jetojnë në Bosnjë, një boshnjak, një serb dhe një kroat dhe që të tre kanë të drejtën e vetos për të stopuar çfarëdo iniciative që merret.
Në fakt, kundër ndryshimit të statutit ishin deputetët serbë që kanë edhe shumicën në Kuvend - gjithsej 28. të gjithë serbët në Kuvendin e së martës ishin të një linje, votuan kundër, 22 deputetë boshnjakë votuan pro, ndërkohë që tre deputetët kroatë preferuan të "bëjnë paqe" me serbët e boshnjakët duke abstenuar.
Mediat boshnjake kanë akuzuar serbët se kishin prapavijë të qartë politike dhe se në këtë Kuvend kishin ardhur të përgatitur me skenar të detajuar.
Mbledhja e mbajtur në hotelin "Holiday Inn" në Sarajevë, ka kaluar me tension, madje në një moment një delegat ka tentuar të qërojë hesapet me kryesuesin e kësaj mbledhjeje, Sulejman Çolakoviq, pasi ky i fundit përshpejtoi procedurën e votimit pa dhënë kohë shtesë për një marrëveshje eventuale me arsyetimin "se qysh tash dihet epilogu i votimit". Jashtë hotelit ku u mbajt Kuvendi, disa qindra tifozë boshnjakë protestuan, por forcat e shumta të policisë nuk lejuan futjen e tyre në ambientet e hotelit.
Sipas mediave boshnjake, asnjë nga zyrtarët e tanishëm të Kuvendit të Federatës, nuk do të lejohen nga FIFA dhe UEFA të jenë pjesë e Kuvendit të ardhshëm.
Bosnjë-Hercegovina ndodhet në një grup me Shqipërinë në eliminatoret për "Euro 2012" dhe ndeshjen e dytë këto skuadra do të duhej ta zhvillonin më 7 qershor të këtij viti, nëse deri atëherë, hiqet suspendimi mbi federatën boshnjake. Ndeshja e parë në Tiranë, pati mbaruar 1:1.