shembull SHBA, për të vënë në dukje se, ndryshimi i partisë në pushtet në demokraci, nuk sjell detyrimisht ndryshimin të të gjithë aparatit shtetëror.
Gjatë përgatitjes të atij shkrimi u njoha edhe me të dhëna për sistemin e pagave në pozicione të larta të degës ekzekutive dhe legjislative si dhe me përfitimet që kishin punonjësit e shërbimit civil në këtë vend.Këto ditë përmes rrugës elektronike pata rastin të njihem me të dhënat më të fundit të mbledhura nga 24/7 Wall Street (11 mars 2011) në disa burime publike lidhur me shpërblimet e zyrtarëve më të lartë shtetërorë amerikanë duke përshkruar 10 postet më të paguara.Këtu nuk përfshihen shpenzimet për kujdesin shëndetësor dhe të pensionit, përfitimet për sigurimin dhe transportin e përfitime të tjera, që i gëzojnë për shkak të detyrave të tyre.
10. Sekretari i Shtetit: Hilary Klinton
Paga bazë vjetore: $186,600
Maksimumi i qëndrimit në detyrë: Zakonisht 8 vjet.
Detyra e mëparshme: Senatore në Nju Jorku
Përshkrimi i detyrës: Sekretari i Shtetit emërohet nga Presidenti për të shërbyer si shefi diplomatik përfaqësues i SHBA.
Përveç mbikëqyrjes të të gjitha veprimtarive të Departamentit të Shtetit, përfshirë ato të ambasadave dhe përfaqësuesit në OKB, Sekretari i Shtetit është përgjegjës për operacionet e jashtme të CIA-s, Departamentit të Mbrojtjes, dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Ky pozicion vjen i katërti në zinxhirin e pasuesit për presidencën.
9. Sekretari i Thesarit: Timothi Geitner
Paga bazë vjetore: $191,300
Maksimumi i qëndrimit në detyrë: Zakonisht 8 vjet.
Detyra e mëparshme: President i Rezervës Federale, Bankë e Nju Jorkut.
Përshkrimi i detyrës: I emëruar nga Presidenti, Sekretari i Thesarit shërben si këshilltar kryesor ekonomik për Presidentin. Sipas Departamentit të Thesarit: "Sekretari i Thesarit është përgjegjës për formulimin dhe rekomandimin e politikave të brendshme dhe të jashtme financiare, ekonomike si dhe politikën e taksave, pjesëmarrjen në formulimin e politikave të gjera fiskale që kanë rëndësi të ndjeshme për ekonominë, dhe menaxhon borxhin publik."
8. Kryetari i Shumicës në Senat: Harri Reid
Paga bazë vjetore: $193,400.
Maksimumi i qëndrimit në detyrë: Pakufizim, zakonisht 4-8 vjet, ose kur Senati ndërron shumicën.
Detyra e mëparshme: Guvernator i Nevadës.
Përshkrimi i detyrës: Kryetari i Shumicës në Senat nuk ka ekzistuar deri në fillim të shekullit të 20-të. Sipas website-t të Senatit të ShBA: “Kryetari duhet të jetë gjithnjë i informuar për problemet kombëtare dhe ndërkombëtare krahas çështjeve legjislative në shqyrtim e sipër. Në sallën e Senatit ai është i ngarkuar nga anëtarët e partisë së tij të diskutojë për të gjitha çështjet në konsultim me ta dhe organet vendimmarrëse të partisë së tij”. Përveç kësaj, kryetari duhet të jetë në kontakt me komitetet e ndryshme dhe mban linjën e komunikimit midis tyre dhe senatit.
7. Kryetari i Rezervës Federale: Benjamin Bernanke
Paga bazë vjetore: $199,700
Maksimumi i qëndrimit në detyrë: 14-28 vjet.
Detyra e mëparshme: Profesor i Ekonomisë në Universitetin Princeton.
Përshkrimi i detyrës: Kryetari i Rezervës Federale është përgjegjës për sistemin bankar federal në ShBA. Si Kryetari i Rezervës Federale, Bernanke dikton dhe shpjegon drejtimin e politikës fiskale të ShBA dhe bashkëpunon me Departamentin e Thesarit.
6. Kryetari i Gjykatës të Lartë: Xhon G. Roberts
Paga bazë vjetore: $217,400
Maksimumi i qëndrimit në detyrë: Për gjithë jetën.
Detyra e mëparshme: Gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Washington, D.C.
Përshkrimi i detyrës: Si kryetar i 9 anëtarëve të Gjykatës të Lartë (Supreme), Roberts është kryetari i sistemit gjyqësor federal të ShBA, dhe efektivisht lideri i degës juridike të qeverisë. Kryetari është gjithashtu përgjegjës për vendosjen e agjendës të gjykatës.
5. Shefi i Shtabeve të Bashkuara të Ushtrisë: Admiral Majkëll Mulen
Paga bazë vjetore: $220,734
Maksimumi i qëndrimit në detyrë: 8 vjet.
Detyra e mëparshme: Shefi i Operacioneve Detare
Përshkrimi i detyrës: Ndërsa presidenti është teknikisht komandanti i Forcave të Armatosura të ShBA, kryetari i shefave të bashkuar të ushtrisë - panel i kombinuar i Ushtrisë, Forcave Ajrore, dhe Marinës - është drejtuesi funksionar i ushtrisë. Shefi i Shtabeve të Bashkuara të Ushtrisë emërohet nga Presidenti.
4. Kryetari (Spikeri) i Dhomës të Kongresit: Xhon Bohner
Paga bazë vjetore: $223,500
Maksimumi i qëndrimit në detyrë: Potencialisht i pakufizuar, si rregull 4-8 vjet.
Detyra e mëparshme: Anëtar i Dhomës të Kongresit të ShBA nga Ohio.
Përshkrimi i detyrës: Kryetari (Spikeri) i Dhomës të Kongresit nuk është ligjërisht e i domosdoshëm të jetë anëtar i Dhomës të Përfaqësuesve, megjithatë nuk ka ndodhur kurrë që të jetë caktuar nga jashtë saj. Roli i spikerit përfshin kryesimin e dhomës dhe vendosjen e agjendës të partisë së tij. Kryetari i Dhomës është i treti në radhë për të zëvendësuar presidentin në rast fatkeqësie të tij.
3. Zëvendës Presidenti: Jozef Bajden
Paga bazë vjetore: $227,300
Maksimumi i qëndrimit në detyrë: 8 vjet.
Detyra e mëparshme: Senator nga Delaware
Përshkrimi i detyrës: Zv/Presidenti është zv/kryetari i degës ekzekutive, dhe ndihmon presidentin në të gjitha çështjet burokratike dhe diplomatike. Zv/Presidenti është gjithashtu zyrtarisht President i Senatit, dhe kryeson të gjitha mbledhjet, ndonëse roli i tij më i rëndësishëm është të shërbejë si ndërlidhës në rast bllokimi të votimit. Zv/Presidenti është gjithashtu i pari në radhë për të zëvendësuar Presidentin nëse ky humb jetën apo bëhet i paaftë për të kryer detyrën.
2. Drejtori i Përgjithshëm i Postave: Patrik R. Donahoe
Paga bazë vjetore: $245,000
Maksimumi i qëndrimit në detyrë: 8 vjet.
Detyra e mëparshme: Një disa pozicione ekzekutive në Shërbimin e Postave të ShBA.
Përshkrimi i detyrës: Donahoe është kreu i shërbimit postar, një pozicion i cili është më i vjetër se Kushtetuta e ShBA. Dikur një pozicion i kabinetit presidencial, tani emërimi për të vjen nga brenda shërbimit. Drejtori i Përgjithshëm ndihmon vendosjen e tarifave postare dhe të shërbimeve si dhe mbikqyr të gjitha ndryshimet e rregullave kryesore.
1. Presidenti: Barack Obama
Paga bazë vjetore: $400,000
Maksimumi i qëndrimit në detyrë: 8 vjet.
Detyra e mëparshme: Senator nga Ilinois
Përshkrimi i detyrës: Presidenti është kreu ekzekutiv, komandanti i forcave të armatosura, udhëheqësi dhe kryetari i kombit. Obama është përgjegjës për një numër të madh të propozimeve dhe emërimeve të funksionarëve të lartë shtetërorë, përfshirë edhe shumicën e posteve të përmendur në këtë listë.
Nga burime të tjera zyrtare del se paga e Presidentit të ShBA përcaktohet në nenin II, seksionin 1 të Kushtetutës amerikane kurse konkretizimi i mëtejshëm është përcaktuar në Kodin e ShBA (Titulli 3, Kreu 2, pika 102). Vëmë në dukje se paga e Presidentit të ShBA ka mbetur e pa ndryshuar në shifrën 200,000 usd në vit për më shumë se tre dekada, nga viti 1969 deri më 2001. Shifra u dyfishua në kohën e Presidencës të G. W. Bush dhe vazhdon e pandryshuar deri më sot./topLajm