Kosova vazhdon të jetë një vend transit i drogës afgane drejt vendeve të Evropës perëndimore.
Është ky vlerësimi që bën për shtetin e ri raporti vjetor i
Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, raporton Zëri.Në raport vihet theksi tek vështirësitë që kanë autoritetet kosovare në luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar.
Ndërkohë që shprehet shqetësimi për shtimin e prodhimit të drogës në territorin kosovar.
Ndërkaq, për Shqipërinë, DASH ka vlerësuar se ka ende rezultate të dobëta, pavarësisht progresit.
“Shqipëria ka bërë progres gjatë vitit 2010, qeveria e Shqipërisë u përpoq të konfrontonte elementët kriminalë, por droga vijon të mbetet një problem i mprehtë në këtë vend”, thuhet në raport.
Në dokumentin zyrtar vihet theksi tek kontrollet e dobëta në kufijtë detarë dhe ata tokësorë, fenomen që nxitet nga mungesa e mjeteve dhe korrupsioni.
Departamenti i Shtetit vlerëson se trafiku i drogës është një nga veprimtaritë kryesore të grupeve kriminale në Shqipëri, vend që sipas raportit shërben si transit për kalimin e heroinës afgane drejt Evropës, kryesisht Italisë dhe Greqisë.
“Forcimi i institucioneve qeveritare ka dhënë efekte pozitive, por progresi ka qenë i ngadaltë”, nënvizohet në raport, ku ndër të tjera thuhet se SHBA dhe BE do vijojnë bashkëpunimin me Shqipërinë në luftën kundër narkotikëve./io