Në takimin e parë mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë do të diskutohet për CEFTA’n, doganat dhe librat kadastralë. Burime të Expressit thonë se ndërmjetësuesi Robert Cooper do të propozojë që takimet e ardhshme të CEFTA’s të mbahen sipas formulës Gymnich, derisa zgjidhjen për funksionalitetin e Pikës 1 dhe 31 të Doganës së Kosovës e sheh tek aplikimi i vulës me mbishkrimin “Kosovo”, e jo Republika e Kosovës, apo “KosovoUNMIK” siç kërkon Serbia.Lehtësuesi europian në bisedimet teknike mes Kosovës dhe Serbisë, strategu Robert Cooper, ka finalizuar agjendën dhe temat për të cilat do të diskutojnë të dyja delegacionet të hënën, gjatë takimit të parë që zhvillohet në Bruksel.
Ashtu siç është paralajmëruar, bisedimet nisin me tema të ashtuquajtura të lehta.
Burime të gazetës Express, të afërta me kabinetin e Shefes së Diplomacisë europiane, Catherine Ashton, kanë treguar tri temat që do të diskutohen mes palës kosovare dhe asaj serbe.
Një, CEFTA.
Dy, Doganat.
Tre, librat kadastralë.
“Me këto tema nis dialogu i shumëpërfolur mes Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë diplomati europian që foli për Express.
Sipas tij, ndërmjetësuesi Robert Cooper ka edhe ofertën për çështjet që do të diskutohen, të cilën ua ka treguar edhe përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, gjatë vizitave të tij të fundit në rajon.
“Ne besojmë se zgjidhja më e mirë për funksionimin e CEFTA’s është aplikimi i Formulës Gymnich”, ka thënë ai.
CEFTA (Marrëveshja për Tregti të Lirë në Europën Qendrore) është një mekanizëm i rëndësishëm për zhvillimin e rajonit, por funksionimi i saj është vënë në pikëpyetje pas bllokadës që i ka bërë Serbia Kosovës.
Formula Gymnich është term që u referohet takimeve ku nuk figurojnë emrat e shteteve apo simbolet e tyre, por vetëm emrat e pjesëmarrësve në takim.
“Kjo formulë është përkrahur si në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë”, ka thënë zyrtari europian.
Sipas tij, hapa konkretë gjatë takimeve të Robert Cooperit në Beograd janë shënuar edhe në fushën e funksionalizimin e dy pikave doganore të Kosovës në veri të vendit, pikës 1 dhe 31.
“Cooper ka sugjeruar që në këto pika doganore të përdoret vula me termin “Kosovo”, e jo “KosovoUnmik”, siç dëshiron Serbia. Sugjerimi i tij ka hasur në mirëkuptim në Beograd”, ka thënë burimi i gazetës.
Sipas tij, Beogradi po ashtu ka disponim për kthimin e librave kadastralë të Kosovës, të grabitura nga regjimi i Millosheviqit gjatë luftës.
“Kjo është pika e tretë për të cilën do të diskutojnë të hënën të dyja delegacionet. Aktualisht ka shenja që Beogradi do t’i kthejë në Kosovë librat kadastralë, megjithatë gjithçka do të sqarohet gjatë takimeve të ardhshme”, ka thënë diplomati europian që foli në kushte anonimiteti për gazetën.
Në takimin e parë mes Prishtinës dhe Beogradit, që zhvillohet më 8 mars në Bruksel, nuk pritet të arrihet ndonjë marrëveshje, por europianët po insistojnë që ky takim të kalojë në frymë konstruktive për temat që do të diskutohen.
Kosova në takim përfaqësohet nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, derisa udhëheqës i delegacionit serb do të jetë Borko Stevanovic./ge
