E përditshmja amerikane “Time”, duke iu referuar burimeve policore gjermane, zbuloi pjesë nga bisedat e 21-vjeçarit kosovar në hetuesi, pasi ai vrau dy ushtarë amerikanë dhe plagosi dy të tjerë, në një sulm të armatosur jashtë aeroportit të Frankfurtit. Gjatë pyetjeve, Uka i deklaroi policisë se vendosi të hakmerrej, pasi vetëm disa ditë më parë pa në një faqe islamike një video, të përshkruar si përdhunimin e një vajze të re në Afganistan prej disa ushtarëve amerikanë.
Sipas tij, imazhet i ngjallën një tërbim të tillë personal, sa që nuk mundi të qëndronte më duarkryq dhe të vazhdonte normalisht jetën e tij.
Uka, i përshkruar nga miqtë si një njeri i qetë dhe i shoqërueshëm, nuk kishte asnjë precedent penal dhe sapo kishte fituar një punë me orar të pjesshëm në aeroport.
Sipas prokurorisë gjermane, deri tani nuk ka të dhëna që të bëjnë të besosh se ai vepronte në kuadrin e një grupi terrorist.
Shqetësuese për hetuesit është fakti se i riu u radikalizua brenda shumë pak javësh, pas vizitimit të faqeve islamike në internet.
Si rrjedhojë e sulmit të Ukës, banesa e një imami maroken në Frankfurt u kontrollua. Ai besohej se kishte nxitur të riun kosovar në kryerjen e krimit, por asnjë akuzë nuk u ngrit pas kontrollit në shtëpi.
Pesë akuza për Arid Ukën
Mbi Arid Ukën, autorin e vrasjes së dy ushtarëve amerikanë në aeroportin e Frankfurtit, rëndojnë aktualisht pesë akuza, thanë autoritetet gjermane.
Ai përballet me dy akuza për vrasje dhe tri akuza për tentativë vrasje, ndonëse hetimet vazhdojnë. Me vendim të gjykatës Uka gjendet në paraburgim deri në përfundim të hetimeve.
Autoritetet gjermane pohojnë se ai ishte besimtar mysliman, por është radikalizuar vetëm së fundi.
Forcat amerikane të sigurisë deklaruan se Arid Uka nuk ishte pjesë e ndonjë liste të dyshuarish për lidhje me terrorizmin. Në Uashington janë bërë publike emrat e ushtarëve amerikanë të vrarë. Ata janë 25-vjeçari Nikolas Alden nga Karolina e Jugut dhe Zakaria Kadbek nga Virxhinia.
Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Dejv Lapan tha se ende nuk është e qartë nëse edhe persona të tjerë janë të përfshirë në këtë sulm.
“Një nga pikat kyçe të hetimit është të gjejmë nëse ka pasur dhe të tjerë të përfshirë përveç sulmuesit”, theksoi Lapan.
Bllokimi i revoles parandaloi më tepër vrasje
Revolja e përdorur nga i dyshuari Arid Uka nga Kosova, në vrasjen e dy ushtarëve amerikanë në aeroportin e Frankfurtit, ishte bllokuar gjatë sulmit, duke parandaluar humbjen e mëtejme të jetëve, tha sot prokurori gjerman, Rainer Greisbaum.
I dyshuari Arid Uka, 21-vjeçar, kishte refuzuar të fliste kur formalisht ishte akuzuar para gjyqtarit për vrasje dhe përpjekje për vrasje, por kishte bërë deklarata të gjata në polici, pak kohë pas sulmit të së mërkurës, ka theksuar Griesbaum.
Më tutje, Griesbaum theksoi se Arid Uka u kishte thënë autoriteteve se ai kishte shkuar në aeroport në mënyrë specifike për t’i vrarë amerikanët “si hakmarrje për misionin amerikan në Afganistan”.
Kur ai e ka parë autobusin me 15 persona të armatosur, të parkuar jashtë Terminalit 2, ai i është afruar një personi të armatosur dhe, nën pretekstin e kërkimit të duhanit, ka pyetur nëse të armatosurit ishin në rrugën e tyre për në Afganistan.
“Kur ushtari tha po, ai e qëlloi atë nga prapa në kokë”, tha Griesbaum. Ushtari i vrarë ishte 25-vjeçar. Arid Uka pastaj depërtoi në autobus dhe duke brohoritur “Zoti është i Madh”, e vrau shoferin, tha prokurori Griesbaum. Pastaj, ai e qëlloi një ushtar 25-vjeçar dhe një tjetër 21-vjeçar, duke i plagosur që të dy, tha Rainer Griesbaum.
“Pastaj, ai u përpoq ta qëllojë një 22-vjeçar”, tha Griesbaum dhe shtoi se “ai e mbështeti revolen në kokën e tij dhe e tërhoqi këmbëzën dy herë, por revolja u ndal dhe nuk pati të shtëna”. Megjithëqë mendohej se në revole ishin edhe gjashtë plumba, bllokimi i saj i parandaloi të shtënat e tjera dhe Arid Uka iku nga autobusi. Por, ushtari i fundit ndaj të cilit Uka provoi të qëllonte, u dha në ndjekje ndaj Ukës në terminalin e aeroportit, së bashku me dy policë federalë gjermanë dhe e kapën atë. Arid Uka ishte i armatosur edhe me dy thika. Agjencia AP raporton se autoritetet e Gjermanisë besojnë se Uka ishte radikalizuar aktualisht dhe kishte vepruar vetëm, por prokurori Griesbaum tha se incidenti tregon se ekziston rreziku serioz, edhe nëse ekstremistët nuk janë pjesë e rrjetit radikal. “Kjo nënvizon rrezikun nga islamikët që veprojnë vetëm”, tha Griesbaum.
Viktima e Aridit
Cathy Garner shqetësohej se djali i saj do të ishte në rrezik në Afganistan. Nick Alden, 25 vjeç, nuk mbërriti kurrë atje. Ai u vra në aeroportin e Frankfurtit nga Arid Uka. Cathy mori lajmin nga ish-burri i saj, që i tha se djali i tyre u nis drejt vrasësit kur e pa që ai po shtinte në drejtim të shoferit.
“Nuk i di detajet, por duket se ai pati rol qendror që të tjerët shpëtuan”, ka thënë nëna e ushtarit amerikan. Nick ka lënë pas prindërit, dy vëllezër, një motër, gruan Trish dhe vajzën 3-vjeçare, Lilly dhe djalin 1-vjeç, William.
Alden kishte kryer Palmetto High School në Williamston, para se të bëhej pjesë e Forcave Ajrore të SHBA-së.
Drejtori i shkollës e kujton si një student të qetë, dhe një djalosh të mirë. Atij i pëlqente futbolli (evropian), dhe lojërat në internet. Të afërm e të njohur kanë bërë homazhe për të./ge
