e shtunë, 5 mars 2011

Serbia mban të pushtuar veriun e Mitrovicës

Kongresisti amerikan Eliot Engel ka thënë se Serbia nuk ka bërë asnjë hap përpara në njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, por, sipas tij, Serbia vazhdon të mbajë të pushtuar veriun e Mitrovicës, ende është armiqësore ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB, duke punuar në këtë drejtim së bashku me Rusinë.

“Ka pasur përpjekje për të delegjitimiuar Kosovën. 75 vende e kanë njohur Kosovën, por shumë të tjera nuk e kanë marrë këtë hap pasi ka një presion të madh mbi to. Çështja u dërgua në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe u fitua nga Kosova. Kam besuar se shumë më tepër shtete do ta njihnin Kosovën pas këtij hapi, por ka pasur përpjekje të shtuara për ta bllokuar procesin. E gjithë kjo nuk është e dobishme”, ka thënë Engel në intervistë për Evropën e Lirë.

Ai është i shqetësuar nga fakti se sheh një lloj tradite në sjelljen e BE-së që shpërblen Serbinë megjithë faktin se nuk ka bërë asgjë.

I pyetur se çfarë roli do të luajë Washingtoni në bisedimet Kosovë-Serbi, Engel ka thënë se është shumë e rëndësishme që SHBA-të të luajnë këtë rol, ndaj dhe i ka shkruar edhe presidentit Barack Obama. “Ajo që kemi parë në të shkuarën në Kosovë është se nëse SHBA-të nuk kanë luajtur rolin e duhur, gjërat që duhet të ndodhnin, nuk kanë ndodhur. Jam i bindur se pa rolin e SHBA-ve, nuk do të kishin ndodhur bombardimet që u bënë për të ndaluar pastrimin etnik të Kosovës. Besoj se kishim të njëjtën situatë edhe në Bosnjë. Pa rolin amerikan nuk do t’i kishim bombardimet që u dhanë fund vrasjeve atje. Unë mendoj se kosovarët u besojnë SHBA-ve, prandaj ato duhet të jenë të pranishme në bisedime. Më shqetëson fakti se shoh një lloj tradite në sjelljen e BE-së që shpërblen Serbinë, me gjithë faktin se nuk ka bërë asgjë, apo thjesht nuk ka qenë penguese”, ka thënë Engel.

Sipas tij, bisedimet Kosovë-Serbi janë shumë të rëndësishme dhe BE-ja duhet të jetë e kujdesshme, pasi Serbia e Kosova duhet të hyjnë në BE-në së bashku. /Telegrafi
shko