e martë, 29 mars 2011

Shalli që i sjellë fat Josip Kuzhe-s

Ndeshja me Bjellorusinë ka patur edhe një prapaskenë që nuk lidhet edhe aq shumë me fushën e lojës.
Trajneri Josip Kuzhe ka mbajtur sërish në qafë shallin e dhuruar nga grupimi i njohur i tifozëve “Tifozat Kuq e Zi”,ç’ka duket se i ka sjellë fat. Në takimin e 9 shkurtit me Slloveninë, trajneri i Shqipërisë u shfaq për herë të parë pa shall pas 8 muajsh dhe kombëtarja u mund. “Ndoshta bëra gabim që e hoqa, më sillte vërtet fat”, ka thënë trajneri. 

Por, kroati e ka korrigjuar këtë “gabim” në takimin e së shtunës. Ai është parë sërish me shallin kuqezi në qafë dhe kombëtarja fitoi sërish. Një rastësi? Ndoshta, por Kuzhe tashmë duket i lidhur së tepërmi me dhuratën e bërë nga tifozët. 

Pas ndeshjes së të shtunës, futbollistët e kombëtares së bashku me trajnerin Kuzhe dhe stafin e tij, kanë festuar gjatë në një nga lokalet në qendër të Tiranës, fitoren me Bjellorusinë. Entuziazëm, batuta dhe komente të shumta nga ana e lojtarëve kuqezinj, që mbi të gjitha, kanë mbetur të impresionuar nga mbështetja e tifozëve. Ndërkohë, kreu i FSHF-së Duka ka hyrë i fundit, duke i përqafuar futbollistët të gjithë me radhë./TopLajm/
shko