e enjte, 21 prill 2011

Mbreti Real

Valencia, 20 prill - Cristiano Ronaldo ka realizuar një gol në minutën e 113-të për t'ia siguruar skuadrës së tij Real Madrid trofeun e parë të stinorit dhe të parin pas plot tri viteve të kaluara pa trofe. 
Reali të mërkurën mbrëma në finalen e Kupës së Spanjës, të zhvilluar në "Mestalla" të Valencias, mposhti Barcelonën pas lojës shtesë me rezultatin 1:0. Koha e rregullt u mbyll pa gola. Njëherit kjo ishte fitorja e parë e Realit në përballje ndaj Barcelonës që kur në krye të Barçës erdhi trajneri Pep Guardiola në verën e vitit 2008. 
Ylli portugez, Ronaldo, realizoi me kokë pas një krosimi të pranuar nga Angel di Maria, duke i siguruar kështu trofeun e parë trajnerit portugez Jose Mourinho. 
Reali e Barcelona për herë të parë u takuan në finale të Kupës së Spanjës që nga viti 1990. Atëbotë finalen e pati fituar Barcelona me rezultatin 2:0. "El Clasico" e së shtunës ishte e 211-ta në përgjithësi mes këtyre dy skuadrave. 
Real Madridi e nisi më mirë përballjen finale duke dominuar në pjesën e parë. Skuadra madrilene në këtë pjesëlojë rrezikoi me anë të Cristiano Ronaldos (12', 30 e 36'), ndërsa Pepe (44') qëlloi shtyllën. Në pjesën e dytë, rolet ndërruan. Barcelona mori iniciativën dhe e "mbylli" Realin në pjesëfushën e tij. Pati raste shënimi nëpërmjet Pedro Rodriguezit (51', 75'), Lionel Messit (75') e Andres Iniestas (81'). 
Të dy skuadrat në lojën shtesë u shfaqën të lodhura dhe me më pak tentime për të shënuar. Me përjashtim të rastit ku u shënua goli, Reali pati edhe dy raste të qindpërqindta nëpërmjet Ronaldos (98') dhe Emmanuel Adebayorit (118'). 
Skuadra madrilene ndeshjen e mbylli me një futbollist më pak, pasi u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë Di Maria (120'). 
Sfida e së mërkurës ishte përballja e dytë mes këtyre dy skuadrave për katër ditë. Në fundjavën e shkuar në kampionat, Reali barazoi 1:1 në "Bernabeu", duke e afruar kështu Barcelonën drejt titullit të Spanjës. Dy skuadrat do të ndeshen për dy javë edhe dy herë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Kjo është kupa e 18-të për Realin./TopLajm
shko