e diel, 10 prill 2011

Memphisi nxjerr biletën e fundit për plejof

Tony Allen u ul në gjunjë në mesin e fushës, te shenja e skuadrës së tij Memphis Grizzlies, derisa bashkëlojtari i tij Zach Randolph po ekzekutonte dy gjuajtje të lira. Me ato gjuajtje të lira Memphisi siguroi pjesëmarrjen në plejof të NBA-së pas plot pesë viteve.
"Unë mund të flas gjithë ditën, duke treguar se çfarë më shkonte në mendje në atë moment. Por, mund të them se isha shumë i lumtur. Ne kemi një grup fenomenal të lojtarëve. Ne jemi aty ku kemi pasur dëshirë të gjendemi dhe tash mbetet te ne që të vazhdojmë sa më gjatë këtë rrugëtim", ka thënë Allen. 

Randolph shënoi 27 pikë dhe kapi 15 topa nën tabela, ndërsa Memphisi siguroi biletën e fundit që dërgonte në plejof të NBA-së, duke e mposhtur të premten mbrëma Sacramenton me rezultatin 101:96. Dy gjuajtjet e lira të shënuara nga Randolph, 4.8 sekonda pa përfunduar ndeshja, siguruan fitoren e Memphisit. Për Memphisin kjo është paraqitja e parë në plejof që nga stinori 2005-06.


Me Memphisin tash dihen të gjithë pjesëmarrësit e plejofit të NBA-së  për këtë stinor. 
"Jam shumë i lumtur. Për ne ka qenë një rrugë e gjatë. Kjo skuadër ka luftuar, kemi kaluar shumë për të arritur këtu ku jemi. Është kënaqësi që në fund siguruam pjesëmarrjen në plejof", ka thënë fundori Mike Conley, që të premten mbrëma realizoi 12 pikë e tetë asistime. 


Marcus Thornton me 18 pikë ishte shënuesi më i mirë në radhët e Sacramentos. 
"Ne patëm rast për të fituar, por na lëshoi koncentrimi në çastet e fundit të ndeshjes. Nuk e përfunduam ndeshjen si duhet", ka thënë trajneri i Sacramentos, Paul Westphal. 


Në plejofin e sivjetmë në NBA nga Konferenca Lindore do të marrin pjesë: Chicago, Bostoni, Miami, Orlando, Atlanta, New Yorku, Philadelphia dhe Indiana. Ndërkohë nga ajo Perëndimore pjesëmarrës do të jenë: San Antonio, LA Lakers, Dallasi, Oklahoma City, Denveri, Portlandi, New Orleansi dhe Memphisi. 

Chicago konfirmohet e para në Lindje 

Chicago ka siguruar pozitën e parë në Konferencën Lindore pas fitores që shënoi të premten në udhëtim ndaj Clevelandit me rezultatin 93:82. Chicago nuk ka përfunduar stinorin e rregullt në pozitën e parë në Konferencën Lindore që nga edicioni 1997-98, kur udhëhiqej nga legjenda Michael Jordan. Chicago ka bilanc prej 59 fitoreve e 20 humbjeve. Deri në fund të stinorit të rregullt kanë mbetur edhe tri ndeshje./kn

New Jersey - New York    93:116
(Lopez 27 - Anthony 25)

Indiana - Atlanta    114:102
(Granger 28 - Teague 21)

Philadelphia - Toronto    98:93
(Brand 22 - DeRozan 27)

Cleveland - Chicago    82:93
(Hickson 22 - Boozer 23)

Detroit - Milwaukee    110:100
(Wilcox 27 - Jennings 31)

Miami - Charlotte    112:103
(Bosh, Wade 27 - Brown 23)

Boston - Washington    104:88
(Pierce 22 - Blatche, Wall 20)

Memphis - Sacramento    101:96
(Randolph 27 - Thornton 18)

New Orleans - Phoenix    109:97
(Green 31 - Dudley 18)

Oklahoma C. - Denver    104:89
(Durant 28 - Nene 18)

Dallas - LA Clippers    107:96
(Brewer, Nowitzki 20 - Williams 29)

Portland - LA Lakers    93:86
(Aldridge 24 - Bryant 24)
shko