e diel, 3 prill 2011

Mustafa: LDK e vendosur që presidenti të zgjidhet me konsensus

Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur që presidenti të zgjidhet me konsensus politik. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka folur pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm duke thënë se është e nevojshme që të ulen në tryezë me të gjitha partitë parlamentare për të gjetur një zgjidhje. 

“Zgjedhja e Presidentit do të duhej të ishte rezultat i një marrëveshjeje politike që do të shprehte interesat , jo vetëm të pozitës por edhe të opozitës, përkatësisht të qytetarëve të Republikës së Kosovës – ka thënë kryetari i LDK-së, raporton KTV. Ai ka shtuar se për këtë ka pajtimin e gjithë Këshillit të LDK-së. I pyetur se a mbështet LDK-ja kandidaturën e Pacollit për President, Mustafa është përgjigjur se partia e tij nuk i është referuar asnjëherë kandidaturave të veçanta. Nëse nuk ka një marrëveshje paraprake politike, LDK do të bëjë atë që ka bërë më 22 shkurt, bojkotimin e seancës së zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.  

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, e thirrur pas zhvillimeve më të reja në Kosovë, përkatësisht për të marrë qëndrimin e strukturave të partisë se si të ecet më tutje konform zhvillimeve të fundit politike, është zhvilluar  e mbyllur për media./kn
shko