e martë, 12 prill 2011

Pacolli ia fal mobiliet presidentes Jahjaga

Ish-presidenti Behgjet Pacolli ka vendosur t’ia falë mobiliet e Presidencës presidentes së re Atifete Jahjaga.
“Unë ia kam dhënë donacion atë enterier Presidencës dhe nuk kam menduar me e marrë”, ka thënë të hënën Behgjet Pacolli, në një prononcim për “Kohën Ditore”.
Pacollit gjatë periudhës së shkurtër sa kishte qenë president nuk i kishte pëlqyer ambienti i punës në Presidencë. 


Kështu ai pati vendosur që aty të sillte mobilie komplet të reja, për të cilat pati deklaruar se i ka sjellë nga fondi i tij dhe nuk e ka shpenzuar asnjë cent të buxhetit. Megjithatë, në të njëjtën kohë, Presidenca pati dhënë një tender në vlerë prej 7 mijë e 119 eurosh e 56 centësh, për rregullim të brendshëm, konkretisht ngjyrosje.

Në anën tjetër, megjithëse ka thënë se ia ka falur Presidencës ato mobilie, Pacolli ka deklaruar se nëse ka ankesa ai edhe mund t’i marrë sërish mobiliet e tij.
“Po shikoni, mund të lajmërohet dikush dhe ato menjëherë i heqim prej aty, po unë s’kam menduar për këto, për arsye se ato ia kam falë Presidencës”, ka theksuar Pacolli, tash zëvendëskryeministër i parë në Qeverinë e Kosovës.


Por pos që e ka “rehatuar” presidenten Jahjaga, Pacolli ka thënë se në “djersën” e tij është duke u ulur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
“Sikurse ia kam dhënë donacion komplet zyrën e Jakup Krasniqit, fasadën e Parlamentit, zyrat e Presidencës, sallën e madhe në Pallatin e Rinisë. Ato janë donacion imi që ia kam dhënë Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Pacolli.


Kështu, presidentja e re e Kosovës, Atifete Jahjaga, të premten kur ka hyrë ditën e parë të saj si presidente e shtetit, e ka gjetur zyrën komplet të rinovuar.


Megjithatë, Pacolli nuk e kishte rregulluar këtë zyrë për Jahjagën. E kishte bërë për vete. Pacolli ka qenë president për një periudhë të shkurtër kohore, por pas një zgjedhjeje të kontestuar dhe ankesës së dy subjekteve opozitare, Gjykata Kushtetuese pati vendosur se zgjedhja e Pacollit për president të vendit ishte bërë duke shkelur ligjet në fuqi./kn
shko