Kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe lëvizja Vetëvendosje do të paraqesin iniciativën në Gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës, Atifete Jahjaga.
Nga kabineti i Krasniqit thuhet se Ambasadori amerikan, Christopher Dell, ka detyruar Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe Behgjet Pacollin ta nënshkruajnë marrëveshjen për tejkalimin e krizës institucionale në Kosovë, e cila drejtpërsëdrejti është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës për zgjedhjen e Presidentit.“Nuk mundet të ndodhë që një marrëveshje, ligj, apo në këtë rast, dëshira e një diplomati, të jetë mbi Kushtetutën. Kryetari i Kuvendit shumë qartë ka paralajmëruar se çështja e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës nuk mund të definohet përmes një marrëveshjeje të nënshkruar nga liderët e tri partive, por nga Kushtetuta”, ka thënë një burim i afërt me Krasniqin për të përditshmen serbe “Pravda”, ritransmeton "Zëri".
Sipas gazetës, Krasniqi do të jetë me një grup parlamentar të partisë së tij, PDK si dhe me lëvizjen Vetëvendosje për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Jahjagës për presidente të Kosovës.
“Qëndrimi i Kryeparlamentarit Krasniqi është që marrëveshja e arritur ka shfuqizuar Kushtetutën e Kosovës dhe se vendi që nga zgjedhja e Jahjagës është pa kushtetutë. Se si dhe mbi çfarë baze është nënshkruar kontrata e cila është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës, do të jetë njëra prej pyetjeve që do t’i duhet t’i përgjigjet Gjykata Kushtetuese. Vetëm nëse Ambasadori amerikan Christopher Dell nuk e përdor mendimin dhe fuqinë e tij ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë burimi i gazetës “Pravda”, duke shtuar se Thaçi, Mustafa dhe Pacolli, duke e zgjedhur presidenten në këtë mënyrë, kanë shkelur Kushtetutën.
Mirëpo, për ta dërguar një lëndë në Gjykatën Kushtetuese, nevojiten së paku 30 nënshkrime deputetësh.
Të kontaktuar nga “Zëri”, zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë mohuar të jenë pjesë e kësaj marrëveshjeje.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mohuar këtë, duke thënë se zgjedhja e Presidentes Jahjaga ka qenë “zgjidhja më e mirë e mundshme e momentit”, pasi që, në të ardhmen, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar nga PDK, LDK dhe AKR, synohet të ndryshohet Ligji për Presidentin./zhurnal