Jona është nga Erseka dhe prej dhjetë vitesh jeton në Londër, deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme, por po të vazhdojmë më tej... Jona Meçe, jo vetëm që jeton në Londër, por edhe punon një nga lokalet më të mëdha të këtij qyteti. Është kryekameriere në lokalin e Çelsit. Nuk mbaruam as këtu. Në kurrizin e saj është vizatuar një tatuazh ku me ngjyra blu dhe të kuqe qëndron stema e skuadrës së futbollit të Çelsit.
Ajo është e "çmendur" pas kësaj skuadre dhe futbollistëve të saj. I ndjek kudo ku ata luajnë, bën tifo për ta në mënyra që ne ndoshta nuk i kemi parë deri më tani nga një femër. Vitin e kaluar ditën kur filloi Champions Lague, ajo ka bërë edhe tatuazhin. Në fakt, historia për këtë vajzë nuk mbaron këtu, në këtë bisedë për "Sh2"-in ajo na tregon se ka qenë kameriere edhe në shtëpinë e një prej lojtarëve më të mirë dhe më të paguar të Anglisë, Frank Lampard.
Por, për të, nuk ka qenë shumë e thjeshtë të punësohet në një lokal të tillë dhe të jetë prezent në festat që organizon Lampard në shtëpi. Jon ka pasur pengesat e saj, e para ka qenë kur i ra xhamit me kokë në hyrje të lokalit... Me një vrull të jashtëzakonshëm na tregon gjithçka çka i ka ndodhur këto dhjetë vjet. Nga Erseka ku është rritur mes tetë motrave dhe një vëllai dhe deri të luksi i Londrës.
Jona, kur keni shkuar për herë të parë në Londër?
Jam larguar në vitin 2001 me ndihmën e vëllait. Tani u bënë dhjetë vjet që jetoj atje. Nuk ma merr mendja që do ta lë Londrën ndonjëherë, për një arsye, se më ka dhënë ato gjëra që vendi im duhet të m'i jepte dhe nuk m'i dha.
Dhe çfarë bëre atje?
Në këtë pikë, si gjithë emigrantët, fillova punë si kameriere në lokale e nëpër pub-e, se, në radhë të parë, unë nuk dija anglishten atëherë, edhe mirupafshim nuk dija si i thoshin. Pastaj, gradualisht, mësova gjuhën dhe një ditë të bukur im vëlla, Olsi, më bën një dhuratë për 25 vjetor. Ne jemi 9 motra një vëlla dhe ai është "Skënderbeu" i familjes sonë. Një ditë të bukur ai më thotë; Jon bëhu gati se do të festojmë ditëlindjen tënde, meqë e ke përvjetor.
Do të çoj diku, në një restorant që do t'i biesh derës me hundë. I thash ne nga Erseka "nuk na i ha qeni shkopin". Dhe faktikisht, më besoni unë i kam rënë derës me hundë, sepse ka qenë me xhama dhe unë e dija hapësirë. Aty kur e pash atë ambient thash; O filloj këtu, o s'ka, se e dija veten ku isha. Ai më thotë që, Jon ti po e shikon vetë se çfarë ambienti është, dhe është ëndërr, se sa e arrin këtë që thua ti, është puna jote. Unë kam një të mirë që unë kurrë nuk eci me; o boo, boo që nuk e bëj dot.
Si arrite të punësoheshe në atë lokal?
Në punë jam futur nëpërmjet një kolegut tim. Kishim punuar bashkë para tre vitesh dhe koincidenca na solli përsëri në të njëjtën punë. Më tha; këtu duhet ta vjedhësh punën me sy se nuk ta lëshon njeri karrigen. Unë llafin e tij e vendosa "vath në vesh". E zbatova dhe arrita aty ku doja. I shkova nga pas atij shokut tim kur ishte së bashku me bosin e madh, aty nuk ngurova dhe ia kërkova vendin e punës shefit.
Ai u habit nga kërkesa ime direket dhe pas pesë minutash më tha; nesër në mëngjes hajde të punosh këtu. Me sakrificën time me sedrën e madhe arrita të bëhesha kryekameriere. Ai lokal është aq gjigant sa, a ke fuqi të punosh!? Pa ekzagjerim, katër muajt e parë kam qenë ndihmësja e katërt e kryekamerierit. Ata janë njerëz që të vlerësojnë. Atje nuk ka racizëm, puna është punë. Kam 6 vjet që punoj në atë lokal.
Keni takuar shumë njerëz aty, njerëz të famshëm apo jo?
Po shumë, duke filluar që nga Madonna, që është ylli i pop-it, e cila më kujtohet që ma kë lënë 100 paund bakshish e deri tek portieri i kombëtares së Anglisë. Aty vijnë shumë njerëz të famshëm që janë VIP-a dhe njerëzit e pasur të zonës se ajo lagje është lagja e të pasurve.
Po në shtëpinë e Frank Lampard si keni hyrë?
Frank Lampard, për Krishtlindje, donte të bënte një surprizë në familjen e vet, dhe duke komunikuar me bosin i thotë që; dua dy punëtorët e t'u më të mirë. Dhe bosi duke u mbështetur në aftësitë e mia, i jep emrin tim.
Ju keni qenë tifozë e Çelsit edhe kur ke qenë në Shqipëri?
Jo, jo, të flasim realisht se unë nuk jam nga ato vajza që, "një dorë ta vendos në revani dhe një në bakllava". Kam qenë Milaniste e çmendur dhe para shumë vitesh idhulli për mua ka qenë Paulo Maldini. Kur erdha këtu ishte Frank Lampard që më rrëmbeu zemrën, si lojtar e kam fjalën se shumë vetë ma kanë ngjit si të dashur.
Në kurrizin tuaj është vizatuar në lëkurë stema e skuadrës së Çelsit, pse e keni bërë këtë?
Ky tatuazh i dedikohet kupës së Champions Lague, ne kemi 5 vjet që torturohemi të gjithë dhe ajo për të cilën kemi etje është Champions Lague. Dhe keni për ta parë, në 28 maj, unë do të jem në Londër dhe po e them që do të jetë Çelsi - Real në finale. Tatuazhin e kam bërë tetorin e vitit të kaluar, kur ka filluar ndeshja e parë e Champions Lagues. E kam bërë me kënaqësinë më të madhe.
Si është shtëpia e Lampard dhe si është të punosh për të?
Duke parë se është një nga lojtarët më të paguar dhe shtëpia ishte jashtë mase luksoze. Vetëm dera e jashtme ishte perlë. Më ka trajtuar shumë mirë, duke më ofruar gjithçka nga shtëpia e vet, më ka thënë që; i ke të gjitha këtu.
I keni treguar që jeni shqiptare?
Po, po, madje Korçare dhe Kolonjare që e shkatërruan Londrën fare (qesh).
Cili ishte reagimi i tij kur e mësoj që ishe shqiptare?
Ai është befasuar që unë jam shqiptare. Ai ka dy goca, një e ka 4 vjeç, tjetrën e ka 6. Nuk është i martuar, është i dashuruar me një gazetare të "BBC". Edhe gruan e parë që kishte, ishte shumë e mirë edhe pse për mua bëhej xheloze.
Mos ishit ju arsyeja e ndarjes se tyre?
(qesh) Jo jo, nuk kam lidhje me atë punë.
I shikon ndeshjet e futbollit atje?
Kam parë shumë ndeshje live, si Barcelona, Liverpuli, Arsenali.
Kur thua që keni qenë kameriere, do të thotë që je stabël, apo në raste të veçanta?
Jam në raste të veçanta, dhe në party që organizohen.
Çfarë mendoni se keni të veçantë që i bën ata t'ju thërrasin?
Është buzëqeshja maksimale që unë jap kur është truri i lodhur. Unë nuk e njoh lodhjen, jam e pashtershme. Unë e kam trurin avion, sot jam në Tiranë, pastaj jam në Ersekë.
Kë lojtar tjetër keni takuar aty?
Të gjithë, se na janë bërë si të shtëpisë, i pëlqej se janë shumë të thjeshtë, unë pordhët dhe delikatesën e urrej se nuk kam ku të shpie të miat, jo për gjë. Thjeshtësia t'i hap horizontet.
E keni pasur të vështirë të jetoni në Londër?
Një njeri në qoftë se e di vetën se ku është dhe e di se çdo të thotë jetë, e jeton atë, jo vetëm më të dyja këmbët, por edhe me një.
Si ju presin në Ersekë?
Shumë mirë. Im atë më thotë që; je një çakmak i lagur që ndez.
Keni pas ndonjë të dashur futbollist?
Jo, jo, unë e di që shumë vajza ata lojtar i kanë ëndërr. Por unë jo.
Ku i shikoni ndeshjet?
Nëpër pub-e, thyej, gota, hipi në tavolina, jam shumë impulsive.
Ke miq futbollistë në Shqipëri?
Në Shqipëri kam gjithë "Gramozin", vdeksha unë për ata, duhet të hyjmë në super league, me patjetër.
Cila është çmenduria më e madhe që ke bërë për futbollin?
Kur kemi humbur Champions Lague të 2008-ës më ka rënë të fikët në stadium.
Kush është Frank Lampard.
Frank Lampard është mesfushor i ekipit anglez të Çelsit. Është një prej futbollistëve më të njohur të ekipit, si edhe titullar me përfaqësuesen angleze të futbollit. Është shpallur lojtari më i mirë te Çelsi për tri vjet. Me blutë e Londrës luan që prej vitit 2001, ku ka zhvilluar 336 takime dhe ka shënuar 111 gola.
"BB", lë të më shohin në një ishull në Londër.
Ajo ka dashur të marrë pjesë në Big Brother por nuk ka qenë e përzgjedhura e autorëve të programit. "Unë konkurrova dhe jam shumë e sigurt që i kam shokuar të gjithë. Ata duke parë tipin, temperamentin, paraqitjen nuk ma dhanë mundësin. Këtu nuk funksionon si në Londër, apo në çdo vend tjetër të botës, po këtu njihet zarfi i rëndë..." -shprehet e inatosur Jona./shek