India ka pasur presione në fillim nga SHBA’të për të njohur pavarësinë e Kosovës, por Nju- Delhi zyrtar ka qenë i shqetësuar se do të nxirrej një paralele ndërmjet Kosovës dhe Kashmirit, një territor që ndodhet në kufirin indiano-pakistanez.
Këto janë dëshmitë e klasifikuara si sekrete, që janë publikuar nga faqja e njohur WikiLeaks, e cila ka nxjerr në dritë dokumente diplomatike të shkëmbyera ndërmjet këtyre dy vendeve. Edhe para shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës (UDI), në shkurt 2008, ambasadori i SHBA në Indi, Mulford C. David "kërkoi" që India ta bëjë këtë në mënyrë që të bashkohet me Shtetet e Bashkuara dhe "vendet kryesore evropiane që pas shpalljes së pritshme të pavarësisë, të bëjë njohjen e pavarësisë së Kosovës, sa më shpejt që të jetë e mundur” ( dokumenti mban numrin 140972: i klasifikuar si konfidencial me datë 12 shkurt 2008).
"Njohja nga India do të tregojë solidaritet global dhe do të ndihmojë në largimin e jo-stabilitetit në Kosovë dhe në rajon," citon WikiLeaks fjalët e ambasadorit amerikan në Indi.
Në përgjigje, Sekretari i Jashtëm i Indisë, Shivshankar Menon "falenderoi Ambasadorin që ka përcjellë qëndrimin e SHBA", por theksoi se qeveria indiane ende nuk ka vendosur "si të reagojë ndaj një deklarate të pavarësisë së Kosovës." Por analizat e dokumenteve tregojnë se ka pasur "dy çështje politike që kanë shtyrë qeverinë indiane të mos e njoh pavarësinë e Kosovës."
Së pari, lidhja historike e Indisë "me Rusinë ... e bën mosnjohjen pozicion defanziv”. Por më e rëndësishmja, "frika e qeverisë indiane se pavarësia e Kosovës do të krijojë një precedent për pavarësinë e Kashmirit, ka bërë që India të mos punojë në njohjen e menjëhershme të Kosovës."
Por arsyetimi kryesor i Misionit të SHBA-së ishte se "rasti i Kosovës paraqet një situatë të veçantë dhe nuk është precedent dhe se njohja do të ndihmojë në stabilizimin e një rajoni të mbushur me plot me sfida”. Më tej thuhet e presionet e kanë bërë që Qeveria Indiane ta marrë në konsideratë njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke bërë që ajo ta shqyrtojë në mënyrën ligjore shpalljen e saj. /zhurnal/