e mërkurë, 8 shtator 2010

Ndarje jo, status special, po!


Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek i ka thënë sot Radio Dukagjinit se në të ardhmen, mund të bisedohet që Veriut të Kosovës ti ipet status i veçantë, ajo ka përmendur Tirolin Jugor. Lunacek ka përjashtuar çdo mundësi për ndarje të Kosovës dhe ka insistuar se forma finale e rezolutës serbe nuk duhet të përmbajë thirrje për bisedime për statusin e as për çfarëdo ndarje.
Hapet sërish çështja e veriut. Kësaj here duket të jetë kompromis mes Bashkimit Evropian dhe Serbisë që kësaj pjese të Kosovës ti ipet status special në këmbim të heqjes së fjalës “bisedime për çështje të hapura” në rezolutën e paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Ulrike Lunacek, raportuese për Kosovën ne Parlamentin Evropian  ka thënë sot se në të ardhmen mund të bisedohet që kjo alternativë ti ipet kësaj pjese të Kosovës.
“Status special, po. Mendoj se një status special si një lloj autonomie ashtu si kanë edhe rajonet tjera në vende të ndryshme të Evropës, është një mundësi që do të mund të diskutohet. Unë vij nga Austria dhe jam e afërt me situatën në Tirolin Jugor. Kjo është një alternativë për të cilën mund të bisedohet. Por gjithashtu është e qartë se Veriu i Kosovës, është pjesë integrale e Republikës së Kosovës.”
Ndërkohë duke folur rreth formës së rezolutës serbe të pranueshme nga BE-ja, Lunacek ka pohuar se në të, në asnjë mënyrë nuk guxon të përmendet fjala “Bisedime për Statusin”
“Duhet të bëhet e qartë se nuk do të ketë negociata për statusin, asnjë negociatë për pretendime territoriale dhe krejt ajo se çfarë mund të ndodh është të bisedohet për të ardhmen e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit për çështje siç janë ekonomia , përmirësimi i situatës se serbeve ne Kosove. Për këtë mund të ketë bisedime e jo për çështje të tjera. Nuk ka bisedime për status e as për ndarje territoriale.”
Si shkëmbim për këtë ndryshim të rezolutës serbe, Lunacek thotë se Serbia mund të fitojë në kohë për proceset integruese.
shko