e enjte, 14 tetor 2010

Virgjiniteti në Kosovë

Të pyetura për virgjinitetin, femrat shqiptare edhe mëtej vazhdojnë të ngurrojnë të flasin për përjetimin e tyre të parë me një mashkull. “Nuk kam pas marrëdhënie me askend përveç me burrin”, përgjigjet kokëlulur dhe fytyrëmërdhezur Ajshja, 34 vjeçare.


Megjithatë, pas fjalës së parë ajo me afsh dhe ndjenjë të veçantë vazhdon rrëfimin për gjënë të cilën siç shprehet ajo e ka bërë “sefte”.

 “Dhembjet që mu shkaktuan në natën e parë, ishin të përziera me kënaqësi, sepse këtë e kisha pritur me vite të tëra”, shprehej ajo, derisa rikujtonte aktin e parë seksual. Përkundër, kësaj ajo nuk e fshehë që nuk ka fort dëshirë të bisedojë për gjëra të tilla, qoftë edhe në shoqëri të gjinisë së cilës i përket ajo. Kjo mbase nuk është çudi. Edhe sot e kësaj dite, në familjet kosovare, të biseduarit për temat “e nxehta” është çështje tabu, madje edhe në familjet me pedigre intelektuale.

Në shoqëritë e zhytura në tradicionalizëm, përveç mohimit të të drejtave tjera, femra rëndohet edhe me “inspketimin” e gjendjes trupore të saj. Në këtë kontekst, është shumë me rëndësi “pastërtia” e femrës, që për shoqëritë e tilla është treguesi më domethënës i nderit dhe i sjelljeve të saja. Femrat, të cilat hynin në jetën bashkëshortore pa himenin e tyre, ktheheshin të nesërmen në shtëpinë e të atit, duke fituar epitetin e “të pandershmes”. “Ne na pëlqen të bëjmë seks, por kur vie puna të martohemi e duam nusen të virgjër”, thotë Blerimi (29). Në anën tjetër Arta (31), thotë se virgjiniteti nuk ka kuptim të vihet para dashurisë. “Sipas kësaj logjike, femrat e divorcuara dhe te veja, nuk duhet të martohen”, shprehet ajo dhe shton më tej se: ”Kjo është e papranueshme dhe diskriminim ndaj femrave në përgjithësi dhe asaj shqiptare në veçanti”. Prandaj në shumë shoqëri ka ligje të veçanta sa i përket virgjërisë.

Dëshira naive për njohjen e virgjërisë së femrës në disa zakone përcaktohej dhe përcaktohet në mënyrë konkrete për të provuar këtë “nder”, duke mos marrë në konsiderim aspak dëshirën e nuses për ekspozimin e vaginës së saj. Madje, në disa zakone kjo gjë provohej para dasmorëve dhe atë menjëherë pas daljes së nuses nga “xherdeku”. Ky lloj anamneze, bëhej përmes dy pikave gjak që do të mund të ishin shfaqur në pëlhurën e bardhë që mbulonte shtratin ku kishte bërë natën nusja në ditën e parë të martesës së saj.

Aleks Luarasi shkruan: “Kanunet shqiptare e respektonin dinjitetin e tjetrit edhe në raste të tilla, por vendimi ishte i paraevokueshëm”. Çdo gjë kthehej mbrapshtë, e përcjellur me një heshtje mortore dhe me theks të qartë për nusen “S’a pru s’i duhet”. Në Kanunin e Lekë Dukagjinit, virgjiniteti zë vend të veçantë edhe mbase është një nga gjërat që sanksionohet bukur rëndë. Në Pjesën e pestë të KLD-së, flitet për virgjërinë, por duke u interpretuar atë me fjalët e asaj kohe “Po s’u pru grueja si duhet, burrit, kanunja i jep leje me i pre thekun a flokun a me lshue”. Domethënë, për të zhvirgjërat, martesa nuk sillte stabilitet emocional, por përkundrazi qelte një kapitull të vështirë jetësorë. Pikërisht, joekzistenca e virgjërisë së vajzës llogaritej mungesë e sinqeritetit dhe nderit të saj, e cila bëhej mollë sherri edhe në krijimin e konflikteve të thella ndërmjet familjes së dhëndrrit dhe të nuses. “O prishë dynjaja, na ktynihere e kemi pas zanat me shku pa prish te burri e tash nuk e kan gajle kto t’rejat”, thotë me gjysmë zëri, Hatixheja (68). Për këtë gjë, ajo fajëson burrat, të cilët sipas saj “jan ba burreca e nuk jau merr kush n’dor”. Kësisoj mendonjë edhe shumë tjerë, të cilët konsiderojnë se prishja e cipës femërore para martesës është hap drejt “kiametit”. Kjo çasje religjioze zë vend në logjikën e të menduarit edhe në kohën më të re, madje jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet më të largëta.

Në vende të ndryshme të botës, prishja e virgjërisë manifestohet në mënyra të ndryshme dhe të cilat si emërues të përbashkët kanë zakonin, respektivisht sanksionet që i vë një grupacion i caktuar shoqëror. Në Australi, shkatërrimi i himenit kombinohet me një akt zyrtar të marrëdhënies seksuale. Sipas Spenserit dhe Gillenit: “Himeni shpohet në mënyrë artificiale dhe burrat që kanë qenë të pranishëm në këtë operacion kryejnë sipas një rradhë të caktuar një koitus (ceremonial). Sipas tyre, ky operacion përcillet me dy akte: prishjen e himenit dhe më pas marrëdhënien seksuale të dhunshme. Për dallim prej këtu, në Malajzi, Sumatra dhe Alforos në Celebes, sipas Frojdit zhvirgjërimi bëhet nga babai i nuses, i cili dhëndrrit ia shpien nusen “të gatshme”. Përmasat edhe më tragjike të këtij zakoni i gjejmë në Filipine, ku zhvirgjërimi kryhet nga gra të moshuara që kanë për profesion zhvirgjërimin e nuses. Kurse te disa fise eskimeze, zhvirgjërimi bëhet nga “angekoku apo prifti”. Në Francë ka rajone ku miqtë e të martuarit qëndrojnë pas derës së dhomës martesore, duke qeshur dhe kënduar derisa burri ta shpalosë triumfalisht para syve të tyre çarçafin e skuqur nga pika gjaku ose prindërit e djalit ua tregojnë çarçafin në mëngjes fqinjëve të tyre.

Simone De Beauvoir, shkruan se: “Ky zhvirgjërim nuk është arritja harmonike e një evolucioni të vazhdueshëm, ai është një shkëputje me të kalurën, është fillimi i një cikli të ri”. Prandaj, jo rrallë herë vajzat e reja i nënshtrohen një virgjërie të betuar, të cilën grekët e quajnë “Parthemos ademos”.

Krijimi i tabuve për virgjërinë është një hendikep i madh për shoqërinë mbi të cilën rri varur dëlirësia dhe nderi i një vajzeje. Sido që të jetë, edhe në shoqëritë më të zhvilluara, virgjëria ka marrë një vlerë morale, fetare e mistike dhe kjo vlerë njihet edhe sot si universale. Këtë e dëshmojnë edhe ceremonitë e organizuara gjatë martesës. Në një formë pak të ashpër zakoni i “natës së martesës” është ende i përhapur. Ai ekziston, sepse ekziston forma arkaike e martesës. E tërë kjo mbështet në ndjenjën e superioritetit të botës mashkullore, qysh prej fëmijërisë, respektivisht prej zhvillimit të tyre gjenital. Madje jo rastësisht për Beauvoir dallimi anatomik (ekzistenca e penisit te mashkulli, e jo ekzistenca e “të prekshmës” te femra), vërteton ndasinë natyrore dhe të pashmangshme. Në këtë kontekst: “Anatomia mashkullore përbën një formë të fortë që i imponohet shpesh vajzës së vogël, dhe ajo nuk e sheh më fare trupin e saj”, thotë ndër të tjera Simone De Beauvoir.

Pikërisht, kjo frymë e organizimit të raporteve ndërseksiste, bëri që në mënyrë arbitrare të mohohet kënaqja e instinktit seksual të femrës, të cilën, Fon Kraft Ebinku e quan këtë “bujkrobëri seksuale”.


shko