e martë, 9 nëntor 2010

Kombëtarja e Kosovës në Botërorin 2014?

Kombëtarja e Kosovës në Botërorin 2014?
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të merr pjesë në ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2014 të cilat do të luhen në Brazil, ka mësuar e përditshmja serbe “Kurir” gjë të cilën e ka konfirmuar edhe Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri.
 
Sipas informatave të gazetës në fjalë, në takimin e paradokohshëm të UEFA-s të mbajtur në Nion kanë marrë pjesë një numër i madh i biznesmenëve shqiptarë. 
 
Që të gjithë ata kanë qenë të pranishëm në këtë takim për të lobuar për pranimin e FFK-së në shtëpinë evropiane të futbollit. Mirëpo, presidenti i UEFA-s, Michel Platini, është një kundërshtar i fuqishëm i kësaj ideje, ndërsa shqiptarët po e presin largimin e tij në zgjedhjet e vitit 2011.

“Edhe pse takimi në Nion nuk ka pasur të bëjë asgjë me Kosovën, në ndërtesën e UEFA-s kanë qenë të pranishëm një numër i madh i biznesmenëve shqiptarë. Më pas kuptova se pjesëmarrja e Kosovës në Kampionatin Botëror 2014 veçse ishte vendosur. FIFA i ka dhënë jozyrtarisht dritën jeshile këtij vendimi, ndërsa pritet që të njëjtën gjë ta bëjë edhe UEFA. Mirëpo, siç dihet, presidenti i UEFA-s, Michel Platini është kundërshtar i madh i pranimit të FFK-së, ndërsa shqiptarët po i presin zgjedhjet e vitit të ardhshëm në UEFA për zgjedhjen e presidentit të ri në mënyrë që plani i tyre të zbatohet në praktikë”, ka thënë bashkëbiseduesi i gazetës “Kurir”, person i afërt në UEFA.


Ky deklarim është konfirmuar edhe nga lojtari i dikurshëm i “Partizanit”, aktualisht president i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.


“Është një gjë e pashmangshme. Është realitet. Po punojmë shumë në mënyrë që të marrim pjesë në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror 2014 në Brazil dhe nuk shoh asnjë pengesë që këtë ta kthejmë në praktikë. Shtetin e Kosovës e kanë njohur 71 vende të botës, shumica prej të cilëve janë shtete të fuqishme ekonomike dhe me futboll tejet të zhvilluar dëshira e të cilëve është që kombëtarja jonë të jetë pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s”, ka konfirmuar Vokrri për të përditshmen serbe.


“Shpresoj që në ciklin tonë të parë të kualifikuesve për Botërorin 2014 të jemi në një grup me Serbinë. Kjo gjë do t’i ulte tensionet. Qëllimi është të luhet futboll dhe të lidhjen njerëzit dhe vendet. Gjithashtu, dëshirë e madhe e popullit të FFK-së është që të luajmë një miqësore me “shqiponjat” tona dhe dëshira ime personale është që kjo ndeshje të luhet në stadiumin e Partizanit, aty ku më lidhin kujtime të bukura të karrierës sime”, ka përfunduar Vokrri.
shko