e premte, 11 mars 2011

10 qytetet më të nënvlerësuara të botës

Destinacione si Londra, Parisi apo Nju Jorku janë vazhdimisht të preferuara prej turistëve në të gjithë botën, por ekziston edhe një listë me qytetet shumë pak të vizituara, ndonëse kanë shumë për të ofruar.
Revista amerikane “Travel and Leisure” ofroi një listë të këtyre destinacioneve të nënvlerësuara, midis të cilave figurojnë emra si Detroiti, Bratisllava apo Gllasgoi.
Detroit – Një qytet i mrekullueshëm, ku gërshetohen në mënyrë të shkëlqyer disa projekte madhështore arkitekturore të stileve të ndryshme. Ndonëse pak i njohur jashtë qytetit, muzeu madhështor i motorëve dhe kafja Mongo, e famshme për muzikën më të mirë jazz në botë nuk duhen humbur.

Taipei – Në vitet 1980-90, kryeqyteti me tre milion banorë i Tajvanit ishte i mbytur nga smogu. Sot, Taipei është një prej qyteteve më të këndshme në botë, i mbushur me hapësira të pafundme të gjelbërta dhe i famshëm për kuzhinën e tij në të gjithë botën.

Tukson – Qyteti me 500 mijë banorë në Arizona është i famshëm për fushat e tij të golfit dhe rodeon, por i ndodhur mes maleve, ai është edhe një qendër e mbushur me bukuri që i përkasin trashëgimisë botërore. Ndërtesat historike dhe rrugët e mbyllura për trafikun në fundjavë, e bëjnë Tuksonin jashtëzakonisht mikpritës, ndërsa restorantet e tij janë ndër më të mirët në botë.

Gllasgou – Londra dhe Mançesteri mund të përthithin të gjithë turistët në Britaninë e Madhe, por është një mëkat të mos vizitosh Muzeun e Arteve në Gllasgou, qëndrën me ndërtime karakteristike skoceze apo miniteatrot e vendosura kudo nëpër qytet.

Nara – I neglizhuar në favor të qytetit fqinj të Kiotos, Nara është ish-kryeqyteti perandorak i Japonisë. Përveç tempujve të lashtë budistë dhe ndërtesave të perandorit, qyteti është i pasur me një kompleks parqesh madhështore që datojnë që nga shekulli VIII.

Bratisllava – Ndërtesa madhështore, sheshe mahnitëse dhe një kështjellë mesjetare në mesin e qytetit. Nuk bëhet fjalë për Pragën, por për “perlën” tjetër përtej Danubit, Bratisllavën. Kryeqyteti i Sllovakisë ka lënë pas imazhin e blloqeve të zymta komuniste, ndërsa që prej aderimit në BE është shndërruar në një qytet dinamik, i mbushur me pabe dhe vende argëtimi.

Providence – I ndodhur pranë Bostonit, qyteti që pret Muzeun më të madh në botë të impresionizmit nuk është shumë i njohur. Njëkohësisht, ai është bërë i famshëm për dyqanet dhe restorantet ku shërbehet me finesën franceze.

Adelaide – I mbiquajtur “qyteti i kishave”, Adelaide në Australi mund të krenohet me një bregdet piktoresk dhe të gjatë, me një respekt të thellë ndaj popullsisë vendase indigjene, me kulturën e saj të kafes, muzetë e artit avangard dhe bienalen e arteve të Adelaidës, e cila realizohet një herë në dy vjet në mars dhe është më e madhja në botë në llojin e saj.

Valparaiso – Kush e njeh Valparaison në Kili? Dy orë me makinë nga kryeqyteti Santiago, Valparaiso është një qytet shumëngjyrësh, i ngritur mbi një seri kodrash që i japin disa harkime madhështore pamjes së qytetit. Qëndra ka një stil bohem, ndërsa hotelet e shekullit XIX mirëpresin vizitorë të shumtë. Gjithashtu, mund të vizitohet muzeu “La Sebastiana” apo shtëpia e fituesit të çmimit Nobel për letërsi, Pablo Neruda./tch
shko