epitetin e njërit prej aktorëve më joshës. “Asnjëherë nuk më ka shkuar ndërmend që të bëhem aktor.
Njashtu si çdo fëmijë, kam dashur të bëhem pilot, kozmonaut, apo marinar. E kam pasur pasion letërsinë dhe kam lexuar bajagi shumë. Më kanë interesuar sporti, kultura, shkenca dhe religjioni. Sikur të mos më pranonin në Akademi, me siguri se do të merresha me njërën nga to dhe një Zot e di se cilën rrugë do të ndiqja”, kujton Leçiq. Teatri i Shabacit qe ai që ia besoi rolin e parë. Asokohe do të kuptonte se aktrimi është ftesa më e bukur. “Profesori im Minja Dediq do të zbulonte tek unë diçka që në momentin e parë as unë vetë nuk do ta kuptoja.
Jam një aktor që nuk parapëlqen të shikojë filmat në të cilët ka luajtur. Kjo nuk më intereson. Çasti është çdo gjë kur jam në shesh xhirimi. Kjo është e rëndësishme dhe nuk më bën fare që të më pëlqejë vetja”, ka thënë ai. Deri tash Leçiq ka pas vetes role të shumta, por në mënyrë të veçantë e mban në mend një vaki kur po xhirohej filmi i parë në të cilin luajti ai. “E mbaj në mend që Bekim Fehmiu gjatë xhirimeve të filmit ‘Specijalno vaspitanje’ më dha një shuplakë.
Gjatë provave më goditi në njërën faqe, nja dy a tri herë. Por kur xhiruam para kamerave ‘ma ka dhezë’ një shuplakë të fortë në faqen tjetër. Mbeta i habitur. Kur më vonë e pyeta përse e bëri një gjë të tillë, më tha se kërkonte habinë në çehren time dhe me atë çfarë kishte bërë ia doli”, ka thënë Leçiq. Branisllav Leçiq i takon gjeneratës së re të aktorëve në Serbi. Si i ri i ka rënë hise të ndajë sheshin e xhirimeve me aktorin e madh shqiptar, i cili vdiq tragjikisht në qershor të vitit të kaluar.
Në komemoracionin që ishte mbajtur në Teatrin Jugosllav të Dramës në kryeqytetin serb ai kishte ndarë kujtime të paharrueshme me Fehmiun, kur kishte folur në skenë me emocione, pa mikrofon. Për aktorin me nam kishte thënë se ai ka mbetur njeriu në kërkim të së vërtetës dhe ka gjetur farën e humanes brenda tij e nuk është dorëzuar asnjëherë.
“Disa mbase do të flasin edhe për përkatësinë kombëtare, por unë dua t’ju them që në mesin e serbëve Bekimi ka qenë shqiptari më i madh, e në mesin e shqiptarëve serbi më i madh”, kishte thënë Leçiq më 22 qershor të 2010-s./kn