Besnikë të Thaçit janë treguar: Bekim Çollaku, Blerim Latifi, Dukagjini Gorani e Lirim Grajçevci. Për Fadil Hysën akoma nuk dihet nëse do të vazhdojë të jetë në kabinetin kryeministrit, ndërsa të tjerët këshilltarë të tij të deritashëm ose kanë zënë pozita në legjislativ, ose disa do të vendosen në ekzekutiv, ose kanë ikur për t’u marrë me ndonjë punë tjetër.
Këto të dhëna gazeta ka mundur t’i siguronte nëpërmjet burimeve jozyrtare. “Koha Ditore” ka kontaktuar nëpërmjet telefonit këshilltarët aktualë, përjashtuar Çollakun, por që të tretë kanë refuzuar të japin ndonjë informatë në lidhje me përbërjen e re të kabinetit të kryeministrit.
“Pos këtyre katër këshilltarëve do të jenë edhe gjashtë deri në tetë të tjerë që do të bëhen pjesë e kabinetit, por pasi të emërohen zëvendësministrat”, ka thënë burimi i gazetës brenda Qeverisë.
Shaip Muja, që ka qenë këshilltar për shëndetësi dhe Elmi Reçica, këshilltar për siguri, janë bërë deputetë të partisë që e udhëheq Thaçi, PDK-së.
Burime të gazetës kanë bërë të ditur se Ismajl Syla do të bëhet zëvendësministër, ndërsa janë liruar nga detyra Driton Qehaja, këshilltar i deritashëm për ekonomi, dhe Fetah Podvorica, që ka qenë këshilltarë për arsim.
Astrit Salihu, ndonëse formalisht mbahej si këshilltar, që prej fundit të 2009-s ishte tërhequr, pas disfatës që kishte pësuar në garën për kryetar të Komunës së Prishtinës.
Ndërkaq Fadil Hysa ka thënë se përgjigjen do ta marrë të hënën.
Pos të katërve, që burime të gazetës kanë thënë se do të mbesin, aty është edhe emri i Hysës, Sylës, por edhe i Sërgjan Sentiqit, që ka qenë këshilltar i lartë politik për çështje të komuniteteve.
Burime të gazetës kanë bërë të ditur se Bekim Çollaku pos që do të vazhdojë të jetë këshilltar i lartë politik, do të jetë edhe drejtues i stafit politik në Zyrën e kryeministrit.
Derisa në stafin politik do të ketë njerëz të rinj, stafi teknik në Zyrën e kryeministrit ka mbetur ai i njëjti. Abelard Tahiri do të jetë shef i kabinetit të kryeministrit, ndërsa Edi Sejdiu, shef i protokollit të kryeministrit./kn