Ishte ky fillimi i fundit i sundimit të Serbisë mbi Kosovën dhe fillimi i fundit të regjimit të Milosheviqit, rikujton korrespondenti i “Kohës Ditore” , Augustin Paloka, nga Brukseli, prej nga asokohe ai me informacionet burimore ngjallte shpresat se po vinte fundi i së keqes.
Fushata ajrore zgjati 78 ditë dhe u përmbyll me dëbimin e forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e rreth 50.000 ushtarëve të NATO-s në Kosovë. NATO-ja atëherë ndër detyrat kryesore kishte dëbimin e forcave serbe, çarmatosjen e UÇK-së dhe vendosjen e një ambienti të sigurt në Kosovë, në të cilin aktorët e tjerë ndërkombëtarë dhe lokalë do të kryenin detyrat e tyre në rimëkëmbjen e Kosovës e që nuk janë të natyrës ushtarake.
Sot 12 vjet më vonë mund të thuhet se NATO-ja është misioni më i suksesshëm ndërkombëtar në Kosovë. Kosova është nga aspekti i sigurisë mjaft e qetë, rreziqe ushtarake nuk ka sa të jetë NATO-ja e pranishme në Kosovë, ndërkohë që sfidat ekzistuese nuk janë të natyrës ushtarake, pra nuk janë në përgjegjësi të NATO-s.
Por në këta 12 vjet gjërat në Kosovë nuk kanë shkuar krejtësisht në drejtimin e pritur, rikujton sot “Koha Ditore”. Pas ndërhyrjes së NATO-s ishin dy porosi të dy personaliteteve që kishin rol udhëheqës në fushatën e NATO-s. Sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, menjëherë pas luftës, i kishte porositur kosovarët që “të falin, por kurrë të mos harrojnë se çfarë ka ndodhur“. Një tjetër aktor vendimtar, presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton, në një vizitë në Kosovë kishte thënë: “Ne e fituam luftën - Ju fitojeni paqen“.
Kosova nuk e kontrollon sot as tërë territorin e saj. Ka humbur dukshëm edhe imazhin ndërkombëtar, ndërsa proceset e integrimeve euroatlantike as që kanë filluar.
Edhe prania ndërkombëtare në Kosovë nuk po shkëlqen. EULEX-i është tash e tre vjet në Kosovë dhe nuk ka shumë rezultate për të dëshmuar. UNMIK-u është harruar, por ai është ende prezent në Kosovë. Policët e Serbisë janë kthyer në Kosovë, ndonëse ilegalisht, por ata janë prezentë në një pjesë të mirë të territorit.
Por asnjë nga këto probleme nuk është për fajin e NATO-s. NATO-ja mund të çlirojë territore, por nuk mund të ndërtojë 137 shtete. NATO-ja mund të mbledhë të dhëna për krim të organizuar, por nuk mund të bëjë procedura gjyqësore dhe ndjekje penale. NATO-ja po e kryen me sukses secilën detyrë në Kosovë, po e ndërton edhe Forcën kosovare të Sigurisë. Ka zvogëluar për dhjetëfish, nga 50.000 sa kishte në vitin 1999, në pak më shumë se 5000 tash, praninë e saj ushtarake në terren./kn