Psikologët bëjnë të ditur se duhen zbatuar disa rregulla edhe në përdorimin e rrjeteve sociale dhe personat të cilët braktisin etikën dhe moralin i hapin rrugë shkatërrimeve të mëdha në jetën e tyre familjare.
Psikologja Yasemin Eyupollu na tregon pikat që duhen pasur kujdes gjatë përdorimit te rrjeteve sociale. Duke nënvizuar faktin se studimet e realizuara kohët e fundit mbi rrjetet sociale fokusohen mbi dëmet që shkaktojnë ato dhe mënyrat riparuese të tyre, psikologët pohojnë se rrjetet sociale ndikojnë negativisht tek individi si rrjedhojë tek familja e më pas shoqëria.
Për të parandaluar dëmet që mund të shkaktojnë rrjetet sociale tek personaliteti i individit dhe familja duhet të vendosen disa rregulla:
Mos dëmtoni rolin tuaj në shtëpi
Megjithëse komunikimi nëpërmjet rrjeteve sociale është imagjinar personi nuk duhet të cenojë rolin e tij në shtëpi nëse ka dëshirë të marrë pjesë në një ambient të tillë bisedimi. P.sh jeni të martuar dhe ju do të ftoni në shtëpi miqtë apo shokët tuaj. Mendoj se në fillim do të flisni me bashkëshorten tuaj ose të paktën ta lajmëroni. Do të rishikoni dhe programin e fëmijës. Në mënyrë të tillë, nëse takimet që do të realizoni ndikojnë apo lidhen dhe me anëtarët tjerë të familjes duhet të tregoheni të qartë dhe të hapur sepse gjithnjë mund të ketë një pike të përbashkët e cila i intereson të dy apo tre palëve. Prandaj bashkëshorti(ja) duhet të lajmërohen apo të jenë të informuar rreth aktiviteteve të përbashkëta dhe tema e përfolur të përshtatet me vendimet tuaja të përbashkëta.
Mos ndërprisni komunikimin me pjesëtarët e familjes
Koha e kaluar në faqe të tilla sociale nuk duhet të ndikojë negativisht në rolin e individit brenda familjes, në detyrimet dhe obligimet e tij. Një baba nuk duhet të lërë pas dore fëmijën e tij për shkak të kohës së kaluar në internet. Ose të mos sakrifikojë kohën kur pi një kafe me bashkëshorten. Ndërsa një nënë nuk duhet të bëjë gabime të pariparueshme në detyrat e saj si bashkëshorte dhe si nënë.
Përcaktoni objektivin tuaj
Pike së pari personi para se të hyjë në faqet sociale ashtu siç ndodh në çdo fushë të jetës së përditshme duhet t’i bëjë vetes këtë pyetje: “ çfarë kërkoj të bëj në këtë faqe?”. T’i përgjigjet qartë pyetjes dhe në bazë të saj të përcaktojë objektivat. P.sh nëse personi kërkon të hyjë në Facebook për të folur me një mik, atëherë duhet të përqendrohet mbi këtë temë dhe të përcaktojë kornizën e punës në internet.
Përkundrazi, nëse anashkalon qëllimin kryesor do të harxhojë më shumë kohë dhe nuk do të arrijë të fokusohet mbi të. Prandaj persona të tillë përdorin shpesh shprehje si “për çfarë hyra dhe shih ku jam tani”.
Mos cenoni personalitetin tuaj
Studimet kanë treguar se rrjete të tilla preferohen për “zbavitje”. Nëse personi i zgjedh këta rrjete për t’u zbavitur atëherë duhet të rishikojë edhe një herë konceptin e tij te zbavitjes në jetën e përditshme dhe të përzgjedhë zbavitjet paralele me to. Pra personi duhet të veprojë në varësi të karakterit dhe personalitetit të tij, mënyra e komunikimit në jetën e përditshme duhet të merret parasysh për të përzgjedhur mënyrën e zbavitjes në internet. Kjo do të ndikojë në ruajtjen e personalitetit nga deformimet e mundshme dhe të parandalojë punë të cilat nuk ka dëshirë t’i bëjë.
Ndani kohën e duhur
Njeriu duhet të ndajë një kohë të caktuar për të shëtitur në adresa të tilla. P.sh kërkoni të blini diçka nga interneti: do të shihni disa produkte dhe do t’i krahasoni me njëri-tjetrin. Mendoni pak: sa kohë do të harxhonit nëse do ta blinit të njëjtin produkt nga dyqani? Ose sa kohë ju duhet të blini një produkt? Nëse e përcaktoni këtë që në fillim atëherë nuk do të harxhoni orë të tëra në internet.
Caktoni preferencat
Preferencat e pjesëtarëve të familjes mund të vendosen në një program të caktuar brenda familjes. Kjo kohë mund të përcaktohet nga të dy bashkëshortët ose mund të përcaktohet në varësi të moshës së fëmijëve. Në këtë mënyrë një familje e cila hyn në internet në orare të caktuara dhe vepron sipas vendimeve të marra më parë atëherë nuk do të shqetësojë apo zërë ngushtë pjesëtarët e një familjeje tjetër.
Mos t’ju mashtrojë “kurioziteti”
Në anketat e bëra në lidhje me shkaqet e përzgjedhjes së rrjeteve sociale në fillim radhitet “kurioziteti”. Ndjekja e jetës së miqve apo njerëzve të njohur, dëshira për të mësuar apo për t’u informuar për jetën dhe çfarë bëjnë të tjerët është një faktor i përhapur gjerësisht në këto faqe…Kurioziteti nuk ndikon vetëm në botën imagjinare të personit por edhe në cilësinë e marrëdhënieve me të tjerët. nëse biseda mes dy personave nuk bëhet për të fituar apo mësuar diçka atëherë ajo kthehet në një bisedë të pavlerë dhe i hapë rrugë zhgënjimeve. Nëse përdorimi bëhet për këtë arsye atëherë personi duhet të analizojë mirë dobitë dhe dëmet e këtij kurioziteti dhe të rishikojë shkaqet e përdorimit të faqeve të tilla.