Për pritjen e presidentit Pacolli është organizuar një ceremoni zyrtare me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, njoftojnë nga kabineti i presidentit Ivanov.
Takimet e para do të nisin paradite me homologun maqedonas Gjorgje Ivanov, ndërsa më pas në agjendë është paraparë takimi plenar i delegacioneve shtetërore parlamentare dhe qeveritare të të dyja vendeve.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli do të takohet me kryeparlamentarin Trajko Veljanovski, ndërsa në agjendë nuk është paraparë deri tani takimi me kryeministrin Nikolla Gruevski.
Në kuadër të vizitës në Maqedoni, presidenti Pacolli do të zhvillojë takime me liderët e partive politike, ndërsa agjenda e tij parashikon vizita dhe takime me biznese, shoqërinë civile dhe personalitete të ndryshme në Tetovë dhe Shkup. Gjatë kësaj vizite në Maqedoni, është paraparë edhe nënshkrimi i Protokollit midis ministrive të bujqësisë për bashkëpunimin në fushën e bujqësisë.
Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli dje e pardje qëndroi në Shqipëri, ku zhvilloi bisedime me zyrtarët më të lartë të vendit. Ai u shpall “Doktor Honoris Causa” të Universitetit Evropian i Tiranës./kn